KORREKT / SOT11 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Basha: BE-ja duhet t’i kërkoj falje Kosovës dhe të korrigjoj Raportin e Progresit

Basha: BE-ja duhet t’i kërkoj falje Kosovës dhe të korrigjoj Raportin e Progresit

Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka shprehur pakënaqësi me disa prej vlerësimeve të përfshira në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, duke kërkuar nga Bashkimi Evropian që të rishikojë dhe korrigjojë disa prej konstatimeve të tij.

Gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës, Basha u ndal veçanërisht te pjesa e raportit që e përshkruan situatën në veri të vendit si të qetë, por të brishtë, transmeton lajmi.net.

Ai e konsideroi këtë vlerësim të padrejtë, duke pretenduar se gjendja e sigurisë në këtë pjesë të Kosovës është përmirësuar ndjeshëm.

“Veriu, kurrë nuk ka qenë më i sigurt. Është po aq i sigurt sa në jug. Këtë s’e thotë raporti, është me u habitë, BE-ja ish dashtë me ju gëzu përmirësimit të gjendjes në atë pjesë të vendit”, deklaroi Basha.

Ministri tha se formulimi i përdorur nga Komisioni Evropian nuk e pasqyron, sipas tij, realitetin në terren, ndërsa kërkoi që BE-ja të reflektojë për këtë vlerësim.

Kritikat e Bashës nuk u kufizuan vetëm te situata në veri. Ai kundërshtoi edhe pjesën e raportit ku përmenden veprimet e institucioneve të Kosovës, të cilat sipas Komisionit Evropian kanë qenë në kundërshtim me procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Në këtë kontekst, Basha përmendi vlerësimet për aksionet policore kundër strukturave të mbështetura nga Serbia dhe arrestimet e realizuara nga institucionet e Kosovës.

Ai insistoi se veprimet e Policisë nuk janë udhëhequr nga përkatësia etnike e personave, por nga dyshimet për shkelje të ligjit.

“Policia jonë nuk ka arrestu njerëz për shkak të përkatësisë etnike, por për shkelje ligjore”, tha ministri.

Sipas tij, Komisioni Evropian ka qenë i informuar për arsyet e këtyre veprimeve dhe nuk është dashur që ato të paraqiten në atë mënyrë në raport.

“BE-ja e di saktësisht arsyet e arrestimeve, ish dashtë me kërku falje, dhe me korrigju këtë raport”, u shpreh Basha.

Një tjetër çështje që ai ngriti kishte të bënte me trajtimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, për të cilët tha se raporti kërkon një qasje të veçantë.

Ministri vuri në pikëpyetje këtë trajtim, duke theksuar se parimi i barazisë para ligjit duhet të vlejë njësoj për të gjitha komunitetet në Kosovë.

“Pse kërkohet trajtim i veçantë për gjyqtarët dhe prokurorët serbë, nuk kërkohet për komunitetet tjera kjo. Barazia para ligjit nuk mund të vlejë për disa”, deklaroi ai.

Deklaratat e Bashës u bënë gjatë diskutimit parlamentar për Raportin e Progresit, në të cilin Komisioni Evropian ka evidentuar zhvillimet, por edhe sfidat dhe ngecjet e Kosovës në fusha të ndryshme./lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.