Sipas gazetarit Sacha Tavolieri, Barcelona i është ofruar mundësia për të transferuar mbrojtësin e Chelsea, Wesley Fofana, gjatë merkatos së verës.
Klubi katalanas e ka shtuar mbrojtësin francez në listën e objektivave dhe tashmë ka zhvilluar kontakte me përfaqësuesit e lojtarit. Barcelona po kërkon aktivisht një qendërmbrojtës të nivelit të lartë për të përforcuar repartin defensivë.
Objektivi kryesor mbetet Alessandro Bastoni i Inter, por negociatat janë të vështira për shkak të çmimit të lartë, rreth 70 milionë euro.
Në anën tjetër, Chelsea është e gatshme të dëgjojë oferta për Fofanën, duke e vlerësuar atë rreth 30 milionë euro plus bonuse, pavarësisht se kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2029.
Sezoni i 25-vjeçarit është shoqëruar me probleme fizike në të kaluarën, por këtë edicion ai ka treguar formë të mirë, duke regjistruar 34 paraqitje në të gjitha garat.
Aftësitë e tij në ndërtimin e lojës nga mbrojtja dhe shpejtësia në rikuperim e bëjnë një profil të përshtatshëm për stilin e Barcelonës.
Megjithatë, klubi katalanas preferon një marrëveshje huazimi me opsion blerjeje, ndërsa Chelsea insiston në një transferim të përhershëm. /Telegrafi/