Barcelona po përgatitet për një verë vendimtare në tregun e transferimeve, me synimin për të forcuar skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick në disa pozicione kyçe, sidomos në mbrojtje dhe sulm.
Klubi katalanas ka vendosur në shënjestër emra të mëdhenj si Alessandro Bastoni dhe Julian Alvarez, por situata financiare mbetet pengesa kryesore.
Vetëm një kombinim i shitjeve të rëndësishme dhe kthimi i mundshëm në rregullin 1:1 të La Liga mund t’i hapë rrugë këtyre marrëveshjeve, edhe pse kjo nuk garanton zgjidhje të plotë të buxhetit.
Si pasojë, Barcelona është e hapur ndaj ofertave për disa lojtarë të rëndësishëm të skuadrës, përfshirë Jules Kounde, Ronald Araujo dhe Alejandro Balde. Asnjëri prej tyre nuk konsiderohet largim i detyruar, por klubi është i gatshëm të dëgjojë oferta serioze, sidomos nga klubet e Ligës Premier.
Të tre futbollistët kanë pasur rol më të luhatshëm këtë sezon, mes rotacionit dhe paqëndrueshmërisë në formacion, gjë që ka ndikuar në minutazhin dhe konsistencën e tyre.
Megjithatë, ata vazhdojnë të vlerësohen brenda klubit, ndërsa çdo vendim do të varet nga mundësitë financiare dhe ofertat që mund të mbërrijnë gjatë verës. /Telegrafi/