Barcelona ka paraqitur zyrtarisht një ankesë në UEFA lidhur me gjykimin në ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madrid.
Në një deklaratë zyrtare, klubi katalanas theksoi se gjatë të dyja ndeshjeve janë marrë disa vendime arbitrare që, sipas tyre, nuk kanë qenë në përputhje me rregullat e lojës.
Barcelona pretendon se këto gabime kanë ardhur si pasojë e një aplikimi të pasaktë të rregulloreve, si dhe mungesës së ndërhyrjes së duhur nga sistemi VAR në raste me rëndësi të qartë.
Sipas klubit, grumbullimi i këtyre vendimeve të diskutueshme ka ndikuar drejtpërdrejt në rrjedhën e ndeshjeve dhe në rezultatin përfundimtar të përballjes, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme sportive dhe financiare.
Përmes kësaj ankese, Barcelona përsërit kërkesat e saj të mëparshme drejtuar UEFA-s dhe shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionin, me synim përmirësimin e sistemit të gjykimit dhe garantimin e një zbatimi më rigoroz, të drejtë dhe transparent të rregullave të lojës.
Kujtojmë se klubi katalanas kishte paraqitur një ankesë të ngjashme edhe pas ndeshjes së parë, por ajo ishte refuzuar nga UEFA me arsyetimin se ishte “e papranueshme”. /Telegrafi/