Një banor ka ngritur shqetësim për gjendjen e një stacioni të papërfunduar në lagjen Dardhishtë të Obiliqit, në rrugën “Hasan Prishtina”, afër autostradës, duke pretenduar se objekti paraqet rrezik për kalimtarët.
Sipas tij, punimet në këtë lokacion kanë mbetur të papërfunduara për rreth dy muaj, ndërsa në vend ka gropa të hapura dhe armatura të pambuluara.
“Përveç që punimet kanë mbetur përgjysmë, aty ka gropa të hapura dhe armatura të pambuluara, pa asnjë shirit sigurie apo shenjë paralajmëruese”, ka thënë banori.
Ai ka bërë të ditur se vetë është rrëzuar në këtë lokacion dhe ka pësuar lëndime.
“Unë jam rrëzuar në këtë vend dhe jam lënduar. Fatmirësisht nuk përfundoi më keq, por herën tjetër mund të jetë një fëmijë, një i moshuar apo kushdo tjetër”, ka deklaruar ai.
Banori u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më shpejt për sigurimin e zonës dhe përfundimin e punimeve.
“Lus institucionet përgjegjëse ta rregullojnë dhe ta sigurojnë sa më parë këtë vend, para se të ndodhë ndonjë rast më i rëndë”, ka përfunduar ai.
Për gjendjen e këtij lokacioni dhe afatin e përfundimit të punimeve, Telegrafi do të kërkojë përgjigje nga Komuna e Obiliqit. /Telegrafi/
