Në lagjen “Lakrishtë” në Prishtinë, në një zonë të frekuentuar në mes të qytetit, po vazhdon hedhja e mbeturinave inerte dhe ndërtimore, duke krijuar atë që banorët e përshkruajnë si një deponi ilegale të improvizuar.
Pamjet e siguruara nga videoja e dërguar në redaksinë e Telegrafi, tregojnë grumbullim të mbetjeve inerte, të cilat po hedhen në mënyrë të përsëritur, pavarësisht deklarimeve të Komunës së Prishtinës se ka ndërmarrë aksione për largimin e këtij lloji të mbeturinave nga pjesë të ndryshme të qytetit.
Sipas komunës, së fundmi është lansuar edhe ueb-faqja “mbeturinat.com”, platformë që synon të lehtësojë raportimin dhe largimin e mbeturinave inerte dhe ndërtimore.
Megjithatë, bazuar në pamjet nga terreni, situata në “Lakrishtë” vazhdon të mbetet problematike dhe kërkon ndërhyrje të shpejtë për të evituar zgjerimin e mëtejmë të kësaj deponie ilegale.
Banorët shprehen të shqetësuar se mbeturinat po hedhen në një lagje të banuar dhe në një hapësirë urbane, duke ndikuar në mjedis, higjienë dhe imazhin e qytetit, ndërsa kërkojnë që autoritetet komunale të ndërmarrin masa konkrete për pastrim dhe për parandalimin e hedhjes së mëtejme të mbetjeve. /Telegrafi/
