Banorët e fshatit Sferkë, së bashku me banorë nga Lutogllava, Ruhoti, Tresteniku, Nabërgjani, Ramuni, Kliqina, Leshani dhe fshatra të tjera përreth Pejës, kanë bërë thirrje për protestë kundër gjendjes në deponinë e mbeturinave në Sferkë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente të institucioneve.
Sipas njoftimit të publikuar nga fshati Sferkë, protesta do të mbahet të dielën, më 20 korrik, në orën 11:00, pranë deponisë së mbeturinave në Lutogllavë të Pejës.
Banorët shprehen se gjendja në deponi ka kaluar çdo kufi të pranueshëm dhe se djegia e mbeturinave po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e ajrit dhe shëndetin e qytetarëve.
“Deponia e mbeturinave në Sferkë ka kaluar çdo kufi të pranueshëm. Djegia e saj po ndot ajrin, po rrezikon shëndetin e fëmijëve, të moshuarve, kafshëve dhe po dëmton natyrën tonë. Është koha ta ngremë zërin tonë në mënyrë qytetare”, thuhet në thirrjen për protestë, raporton Telegrafi.
Organizatorët kanë paraqitur tri kërkesa kryesore, duke kërkuar ndalimin e sjelljes së mbeturinave të reja në deponi, marrjen e masave urgjente për mbrojtjen e shëndetit publik dhe mjedisit, si dhe gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për menaxhimin e mbeturinave.
“Kërkesat tona janë të qarta: ndalimi i menjëhershëm i sjelljes së mbeturinave të tjera në deponi, marrja e masave urgjente për mbrojtjen e shëndetit publik dhe mjedisit, si dhe zgjidhje të qëndrueshme për menaxhimin e mbeturinave”, thuhet në reagim.
Banorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen protestës.
“Mos qëndro indiferent! Sot është deponia, nesër mund të jetë shëndeti i familjes sonë. Ejani të gjithë! Zëri ynë është forca jonë. Vetëm të bashkuar mund ta mbrojmë jetën, ajrin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”, përfundon thirrja e organizatorëve. /Telegrafi/
