Banorët e fshatit Sllup të Komunës së Deçanit kanë reaguar për mungesën e ujit të pijshëm, duke thënë se kjo problematikë vazhdon prej rreth 15 vitesh.
Në reagimin e publikuar më 29 shtator, banorët kanë kërkuar nga Komuna e Deçanit dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” që ta trajtojnë me seriozitet problemin dhe të ndërmarrin hapa konkretë për zgjidhjen e tij.
“Pavarësisht se kemi hyrë në sezonin e vjeshtës, kur reshjet dhe sasia e ujit janë shtuar, fshati Sllup tash e rreth 15 vite vazhdon të përballet me problemin e mungesës së ujit të pijshëm”, thuhet në reagim.
Banorët e konsiderojnë situatën të papranueshme, duke theksuar se fshati është i rrethuar me male dhe burime ujore. Ata kanë ngritur shqetësimin edhe për faktin se, sipas tyre, nga regjioni i Vokshit furnizohen me ujë të pijshëm një pjesë e konsiderueshme e fshatrave të Komunës së Deçanit, ndërsa Sllupi vazhdon të përballet me mungesë të ujit.
“Është e papranueshme që në shekullin 21, një fshat i Komunës së Deçanit të përballet për vite me radhë me mungesën e një prej nevojave më themelore për jetesë – ujit të pijshëm”, thuhet në reagim.
Banorët kanë kërkuar që çështja të përfshihet në planifikimet institucionale dhe buxhetore për vitin 2027, duke thënë se projektet dhe planifikimet për vitin e ardhshëm tashmë kanë nisur të hartohen.
Ata kanë kërkuar që deri në fund të muajit tetor të marrin një përgjigje konkrete dhe të shohin hapa institucionalë për zgjidhjen e problemit.
“Në të kundërtën, si banorë të Sllupit, do të jemi të detyruar të ndërmarrim forma të tjera të reagimit qytetar, përfshirë protesta dhe veprime të tjera të ligjshme”, kanë paralajmëruar banorët.
Në fund të reagimit, ata kanë theksuar se kërkesa e tyre është për trajtim të barabartë dhe zgjidhje të problemit të furnizimit me ujë të pijshëm.
“Sllupi nuk kërkon privilegj. Kërkon trajtim të barabartë dhe zgjidhje për një problem që nuk mund të shtyhet më”, thuhet në reagim. /Telegrafi/