Miliona evropianë kanë tashmë mundësinë të ndikojnë në mënyrën se si do të duken kartëmonedhat e ardhshme të euros, ndërsa Banka Qendrore Evropiane u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votim para mbylljes së sondazhit më 21 shtator.
Më shumë se 9 milionë njerëz kanë votuar tashmë në sondazhin publik të organizuar nga Banka Qendrore Evropiane (ECB), por institucioni po u kërkon edhe qytetarëve të tjerë të shprehin preferencat e tyre përpara përfundimit të procesit.
Në mesin e propozimeve për kartëmonedhat e reja janë zogjtë, lumenjtë dhe figura të rëndësishme të kulturës evropiane, përfshirë kompozitorë. Dizajnet e propozuara dallojnë dukshëm nga pamja e kartëmonedhave që përdoren aktualisht në eurozonë.
ECB kishte konsultuar më herët qytetarët evropianë për procesin e ridizajnimit të kartëmonedhave, por kjo është hera e parë që institucioni u kërkon atyre të vlerësojnë drejtpërdrejt 10 dizajnet e përzgjedhura në fazën finale.
Dizajnet janë të ndara sipas dy temave të mundshme: “Kultura evropiane” dhe “lumenjtë dhe zogjtë”, transmeton Telegrafi.
Rezultatet e votimit do të merren parasysh nga Këshilli Drejtues i ECB-së, por nuk do ta përcaktojnë automatikisht vendimin përfundimtar. Vendimi pritet të merret rreth fundit të vitit 2026, ndërsa zhvillimi i kartëmonedhave të reja do të kërkojë disa vite.
Sipas planifikimeve aktuale, kartëmonedhat e reja pritet të hyjnë gradualisht në qarkullim nga viti 2029.
Në një kohë kur pagesat elektronike po zëvendësojnë gjithnjë e më shumë përdorimin e parave fizike, ECB po përcjell një mesazh të qartë: paraja cash nuk po zhduket dhe evropianët mund të kenë rol në përcaktimin e pamjes së saj të ardhshme.
“Cash-i nuk është thjesht një trashëgimi e së kaluarës. Ai është pjesë e jetës së përditshme për miliona evropianë”, deklaroi anëtari i Bordit Ekzekutiv të ECB-së, Piero Cipollone, gjatë një aktiviteti në Bruksel.
Cipollone bëri të ditur se aktualisht janë në qarkullim më shumë se 31 miliardë kartëmonedha euro, me një vlerë totale prej mbi 1.6 trilionë eurosh. Numri i tyre po rritet me rreth 3% në vit.
Në qarkullim ndodhen gjithashtu më shumë se 150 miliardë monedha euro.
Sipas tij, paratë fizike mbeten veçanërisht të rëndësishme në situata kur mënyrat e tjera të pagesës nuk funksionojnë, për shembull gjatë ndërprerjeve të energjisë elektrike apo internetit.
Roli i parasë fizike mund të fuqizohet edhe më tej përmes një pakete të propozuar legjislative të BE-së, të njohur si “Single Currency Package”.
Paketa, e cila është ende duke u negociuar në Bruksel, përfshin masa që synojnë të forcojnë statusin e parasë cash si mjet ligjor pagese dhe detyrimin për pranimin e saj.
“Cash-i ofron diçka që është e vështirë të zëvendësohet: një pikë të prekshme stabiliteti dhe besimi. Ai gjithashtu nxit përfshirjen financiare. Është i thjeshtë dhe intuitiv. Mbron privatësinë dhe, ndoshta më e rëndësishmja, ruan lirinë e zgjedhjes”, tha Cipollone.
Një sondazh i ECB-së i vitit 2024 tregoi se një shumicë në rritje e evropianëve e konsideron të rëndësishme ruajtjen e cash-it si mundësi pagese.
“Cash-i është forma e vetme e parasë që çdo qytetar mund ta mbajë drejtpërdrejt. Pasi e keni në dorë, nuk keni nevojë për ndërmjetës apo pajisje për ta përdorur”, shtoi Cipollone.
Strategjia e re e pagesave e ECB-së nuk përfshin vetëm ridizajnimin e kartëmonedhave. Institucioni po investon edhe në zhvillimin e euros digjitale, një formë elektronike e parasë së bankës qendrore që do të ekzistonte krahas cash-it.
ECB thotë se mbështetja për paratë fizike është e lidhur ngushtë me zhvillimin e euros digjitale, e cila synon të mundësojë pagesa online dhe offline, duke ofruar një nivel të lartë privatësie.
Nëse negociatat në Bruksel përfundojnë deri në fund të vitit 2026, euroja digjitale mund të emetohet për herë të parë në vitin 2029.
“Ne po investojmë si në cash-in euro, ashtu edhe në euron digjitale. Së bashku, ato do të sigurojnë që evropianët të kenë qasje në paranë e bankës qendrore, si në formë fizike ashtu edhe digjitale, për transaksionet e përditshme”, tha Cipollone.
Sipas tij, të dyja format mund të garantojnë një “zgjidhje evropiane” për të gjitha llojet e pagesave, në çdo kohë dhe në të gjithë eurozonën.
Një nga arsyet që ka shtyrë ECB-në të zhvillojë strategjinë e re të pagesave lidhet me nevojën për autonomi strategjike, veçanërisht në një periudhë të pasigurisë së madhe gjeopolitike.
Evropa vazhdon të mbështetet në mënyrë të konsiderueshme në infrastrukturën amerikane të pagesave.
Sipas të dhënave të ECB-së për vitin 2025, kompanitë amerikane Visa dhe Mastercard përbëjnë rreth 61% të pagesave me karta në eurozonë dhe pothuajse të gjitha transaksionet ndërkufitare me karta.
Kjo ka nxitur ECB-në të kërkojë një sistem evropian më të qëndrueshëm dhe më të pavarur, ku cash-i dhe euroja digjitale do të luajnë role plotësuese në të ardhmen. /Telegrafi/