Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mirëpret vlerësimin pozitiv të publikuar nga Independent Evaluation Group (IEG) të Grupit të Bankës Botërore, për mbështetjen e dhënë ndaj sektorit financiar të Kosovës dhe progresin e arritur gjatë viteve të fundit. IEG është strukturë e pavarur e vlerësimit të Grupit të Bankës Botërore (BB), që i raporton drejtpërdrejt tek Bordi Ekzekutiv dhe ka mandat të vlerësojë efektivitetin dhe rezultatet e programeve të Grupit të Bankës Botërore në vendet anëtare. Misioni vlerësues dhe faktmbledhës i Bankës Botërore u mirëprit nga BQK në takimin e mbajtur më 8 dhjetor 2025.
Raporti thekson arritje të rëndësishme në forcimin e institucioneve financiare, modernizimin e infrastrukturës financiare dhe avancimin e reformave që mbështesin integrimin e Kosovës në tregjet financiare evropiane. Sipas këtij vlerësimi të pavarur, BQK ka luajtur rol kyç në forcimin e stabilitetit financiar, avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, si dhe në modernizimin e sistemit të pagesave.
Në raport vlerësohet se korniza mbikëqyrëse e BQK-së është harmonizuar në masë të madhe me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian, ndërsa reformat e ndërmarra kanë kontribuar në rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit financiar. Po ashtu, raporti nënvizon punën e BQK-së në avancimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik dhe në forcimin e mekanizmave për menaxhimin e krizave dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet reformimit të sistemit të pagesave dhe përgatitjeve për integrimin në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Raporti konstaton se BQK ka udhëhequr procesin e modernizimit të infrastrukturës kombëtare të pagesave dhe harmonizimit të saj me standardet evropiane, duke krijuar bazë të rëndësishme për pagesa më efikase, më të shpejta dhe më të sigurta për qytetarët dhe bizneset.
Raporti thekson gjithashtu se Strategjia Kombëtare e Pagesave dhe reformat në këtë fushë kanë ndikuar në zgjerimin e përdorimit të pagesave elektronike dhe në avancimin e transformimit digjital të sektorit financiar. Këto zhvillime, sipas raportit, krijojnë kushte më të mira për rritjen e konkurrencës, nxitjen e inovacionit, zgjerimin e përfshirjes financiare dhe forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve.
Megjithëse raporti konfirmon progresin e dukshëm të arritur përmes reformave në sektorin financiar, ai thekson se disa nga përfitimet më të rëndësishme pritet të materializohen plotësisht në fazën e zbatimit gjatë viteve në vijim.
BQK e vlerëson lart bashkëpunimin me Bankën Botërore dhe e konsideron këtë vlerësim si konfirmim të rëndësishëm të progresit të arritur në forcimin e sektorit financiar të vendit. BQK mbetet e përkushtuar në vazhdimin e reformave që forcojnë stabilitetin financiar, mbështesin zhvillimin e tregjeve financiare dhe avancojnë integrimin evropian të sektorit financiar të Kosovës, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe objektivat strategjike të vendit.
Raporti për Kosovën është pjesë e një vlerësimi më të gjerë dhe afatgjatë të angazhimit të Grupit të Bankës Botërore. Në këtë kuadër është analizuar edhe zhvillimi i sektorit financiar dhe mbështetja për forcimin e rolit të BQK-së dhe zbatimin e reformave të ndërmarra. Kapitulli përkatës mund të gjendet këtu: https://ieg.worldbankgroup.org/evaluations/world-bank-group-kosovo-fiscal-years-2012-25/chapter-4-world-bank-group-support-kosovos