Shefi i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla ka vizituar në Spitalin e Traumës një efektiv të Policisë së Shtetit, të plagosur gjatë protestës, duke shprehur mirënjohjen për punonjësit e policisë dhe duke bërë thirrje për ndalimin e dhunës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla u shpreh se ka pasur nderin të punojë me efektivin e plagosur gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Brendshme, transmeton Klankosova.tv.
Ai u uroi shërim të shpejtë të gjithë punonjësve të policisë të plagosur apo lënduar, si dhe qytetarëve që kanë mbetur të lënduar gjatë protestës.
“Mirënjohje çdo punonjësi të Policisë së Shtetit dhe shërim të shpejtë çdo të plagosuri/lënduari. Ajo që po bëni ju sot në mbrojtje të demokracisë, historia e Shqipërisë anëtare e Bashkimit Europian, do ta vlerësojë e kujtojë me krenari. Uroj shërim të shpejtë edhe çdo të lënduari qytetar në protestë”.
Balla theksoi rëndësinë e rolit të Policisë së Shtetit në garantimin e sigurisë publike, duke kërkuar më shumë respekt ndaj uniformës dhe punonjësve që, sipas tij, përballen çdo ditë me krimin dhe paligjshmërinë.
“PRANDAJ DUHET TË NDALET DHUNA!”, shkruan Balla, duke kujtuar gjithashtu se 232 punonjës të Policisë së Shtetit kanë rënë dëshmorë në krye të detyrës.
Ai tha se dhuna ndaj punonjësve të policisë përbën një goditje ndaj vetë shtetit, duke bërë thirrje për reflektim dhe respekt ndaj atyre që shërbejnë për sigurinë e qytetarëve.
“Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”.

