Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, e ka cilësuar të papranueshëm interpretimin e muzikës së këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian në Bruksel.
Në një reagim në platformën “X”, Bajrami ka thënë se pret sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, lidhur me mënyrën se si është përzgjedhur dhe miratuar repertori muzikor për hapjen e Forumit të Zgjerimit të BE-së.
Ai ka theksuar se kjo këngë nuk përbën shkëmbim kulturor, por promovon pretendime politike territoriale ndaj Republikës së Kosovës.
“Përfshirja e saj në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është e papranueshme”, ka shkruar Bajrami.
Ai ka shtuar se vlerat evropiane, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe besueshmëria e procesit të zgjerimit të BE-së nuk mund të pajtohen me dhënien e një platforme pretendimeve irredentiste kundër një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Ky nuk është shkëmbim kulturor. Kënga promovon pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës. Përfshirja e saj në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është e papranueshme. Republika e Kosovës pret një sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Kos lidhur me mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua ky repertor. Vlerat evropiane, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe besueshmëria e procesit të zgjerimit të BE-së nuk mund të pajtohen me dhënien e një platforme pretendimeve irredentiste kundër një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Bajrami në platformën “X”.
Muzika e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” është interpretuar në Bruksel, në koncertin e hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, aktivitet i organizuar nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.

