Punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik të shkollave dhe Qendrave të Mjekësisë Familjare në Prishtinë janë duke protestuar para Komunës së Prishtinës, të udhëhequr nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.
Në fjalën e tij, Azemi tha se nga qershori kanë kërkuar që vendimi për pagën minimale të respektohet nga të gjithë, transmeton Klankosova.tv.
“Më shumë se që nga qershori kemi filluar që kësaj komune ta paralajmërojmë, se në momentin e rritjes së pagës minimale që nga korriku ne duhet patjetër që ta respektojmë këtë vendim, e këtë vendim duhet ta respektoni edhe ju”, tha Azemi.
“I garantoj që këta punëtorë derisa nuk nënshkruhet paga minimale dhe të mos kryhen të gjitha obligimet ndaj këtyre punëtorëve, nuk ka me pasë punë. Na vjen keq nga nxënësit, por na është imponuar. Nuk ka më shërbime, nuk ka më skllavëri, paguaji paret, kryej punët. Përndryshe ne do të vazhdojmë deri në infinit, qoftë deri në Vitin e Ri”, tha ai.

