Avokatja Majlinda Sadikaj ka bërë të ditur se Gjykata Administrative e Kosovës ka marrë një vendim lidhur me mënyrën e llogaritjes së masave ndëshkuese për ndalimin e drejtimit të automjetit.
Përmes një postimi, Sadikaj ka thënë se vendimi i Gjykatës në çështjen Ap.nr.337/26 mbron të drejtën e qytetarëve nga kufizimet që, sipas saj, nuk kanë bazë ligjore.
Sipas interpretimit të avokates për këtë vendim, afati i ndalimit të vozitjes fillon të llogaritet nga dita kur shqiptohet masa.
Ajo ka theksuar se Policia mund ta shtyjë fillimin e zbatimit të një mase të ndalimit të vozitjes deri pas përfundimit të një mase të mëparshme vetëm në rastet kur një gjë e tillë lejohet shprehimisht me ligj.
“Pra, policia nuk mund të shqiptojë masë të re për ndalimin e drejtimit të automjetit pa mbaruar masa e parë”, ka shkruar Sadikaj.
Ky është postimi i plotë i saj:
Lajm i mirë për të gjithë shoferët të cilëve ju janë shqiptu masa të njëpasnjëshme
Si avokate, e mirëpres vendimin e Gjykatës Administrative të Kosovës në çështjen Ap.nr.337/26, që mbron të drejtën e qytetarit për të drejtuar automjetin nga kufizimet pa bazë ligjore.
Gjykata ka vlerësuar se afati i ndalimit të vozitjes llogaritet nga data e shqiptimit të masës. Policia mund ta shtyjë fillimin e ndalimit të vozitjes pas përfundimit të një mase të mëparshme vetëm kur ligji e lejon shprehimisht.
Pra, policia nuk mund të shqiptoj masë të re për ndalimin e drejtimit të automjetit pa mbaruar masa e parë.

