Gazetari dhe njohësi i zhvillimeve ndërkombëtare, Arientin Avdyli, ka deklaruar në emisionin Rubikon se veprimet e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, tregojnë se ai ndodhet në panik në prag të zgjedhjeve në Serbi.
Sipas Avdylit, rikthimi i figurave të vjetra politike, lidhjet e pushtetit me persona të dyshimtë dhe arrestimet e aktivistëve janë tregues të përpjekjeve të Vuçiqit për të frikësuar kundërshtarët politikë.
Ai ka përmendur ish-presidentin serb Tomislav Nikoliq, si dhe përfshirjen e Vojisllav Sheshelit në listën politike të pushtetit, duke i cilësuar këto zhvillime si pjesë të përpjekjeve të Vuçiqit për të ruajtur pushtetin.
“Brenda 48 orëve të fundit ka pasur një koordinim të sulmeve edhe të këtyre personave, edhe të shërbimeve sekrete e policisë, duke arrestuar aktivistë. Ai po mundohet në të gjitha mënyrat t’i intimidojë”, ka deklaruar Avdyli nw Rubikon.
Ai ka ngritur shqetësimin edhe për mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet dhe nëse rezultatet e tyre do të pranohen.
Avdyli i është referuar edhe një raportimi në mediat kryesore shtetërore serbe, sipas të cilit mbulimi mediatik për Partinë Progresive Serbe (SNS) të Vuçiqit ka qenë 96 për qind pozitiv, ndërsa për Listën Studentore 97 për qind negativ.
Sipas tij, kjo dëshmon mungesën e kushteve për zgjedhje të drejta dhe të barabarta.
“Kjo tregon se ai është në panik dhe është e rrezikshme a do të pranohen zgjedhjet a jo. […] Kjo tregon se zgjedhjet janë jo fer”, tha Avdyli. /Klankosova.tv

