Arsenali ka bërë hapin e parë konkret për transferimin e Julian Alvarez, duke kontaktuar si drejtuesit e Atlético Madridit, ashtu edhe përfaqësuesit e sulmuesit argjentinas.
Sipas The Athletic, Atlético Madrid do të ishte i gatshëm ta lejonte Álvarezin të largohej para mbylljes së afatit kalimtar, por vetëm në rast të një oferte që do të arrinte rreth 150 milionë euro.
Një burim pranë drejtuesve të klubit madrilen e konsideron një shumë të tillë praktikisht si kushtin e vetëm që do ta bindte Atléticon të shesë yllin argjentinas.
Megjithatë, Arsenali ende nuk ka paraqitur ofertë zyrtare prej 150 milionë eurosh, ndërsa në Madrid besojnë se është shumë e vështirë që klubi londinez të shpenzojë një shumë të tillë për transferimin e Alvarezit.
Arsenali ka kontaktuar të dyja palët javën e kaluar, duke diskutuar mundësinë e një transferimi të 26-vjeçarit në Ligën Premier.
Pengesa kryesore për “Topçinjtë” mbetet vetë dëshira e Álvarezit. Sulmuesi argjentinas thuhet se preferon të qëndrojë në Spanjë, ndërsa situata e tij është komplikuar pas reagimit të tifozëve të Atléticos në ndeshjen ndaj Villarrealit, ku ai u përball me fishkëllima nga tribunat.
Kjo atmosferë mund të ndikojë në qëndrimin e lojtarit dhe në vendimin e tij për të ardhmen.
Nëse Arsenali dëshiron ta transferojë Álvarezin këtë verë, duhet të përballet me një kërkesë të jashtëzakonshme financiare prej 150 milionë eurosh, ndërsa mbetet për t’u parë nëse klubi londinez do të jetë i gatshëm të shkojë deri në këtë shifër. /Telegrafi/
