Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) i janë bashkuar sot 39 punonjës të rinj, prej të cilëve 32 inspektorë fillestarë dhe 7 mbledhës të borxheve.
Sipas ATK-së, rekrutimi i tyre synon rritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të institucionit, veçanërisht në fushën e inspektimit tatimor dhe mbledhjes së borxheve.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, u ka uruar mirëseardhje punonjësve të rinj, duke theksuar përgjegjësinë që ata marrin përsipër në shërbim të tatimpaguesve dhe shtetit.
“Ju uroj suksese në detyrat tuaja të reja dhe ju përgëzoj për rezultatet e treguara gjatë këtij procesi. Mbi 2,000 kandidatë kanë konkurruar për këto pozita, ndërsa ju tashmë mbani një përgjegjësi të rëndësishme për të dëshmuar profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin tuaj në shërbim të tatimpaguesve dhe shtetit”, tha Hyseni.
Punonjësit e rinj janë përzgjedhur përmes një procesi publik dhe konkurrues, ndërsa në fazat e vlerësimit kanë marrë pjesë 1,887 kandidatë.
Sipas ATK-së, procesi i përzgjedhjes është zhvilluar nga një komision i jashtëm, mbi bazën e meritës, profesionalizmit, transparencës dhe objektivitetit.
Me këtë rekrutim, ATK synon të fuqizojë më tej kapacitetet në inspektimin tatimor dhe mbledhjen e borxheve, me qëllim të administrimit më efektiv të detyrimeve tatimore dhe ofrimit të shërbimeve më profesionale për tatimpaguesit./Telegrafi.