Sulmuesi i Real Madridit ka folur për përvojën e tij duke u stërvitur përkrah yjeve si Kylian Mbappe, Jude Bellingham dhe Vinicius Junior, ndërsa zbuloi edhe favoritët e tij për ‘Topin e Artë’.
Carlos Espi aktualisht është i grumbulluar me Kombëtaren e Spanjës U21 gjatë kësaj pauze ndërkombëtare.
Sulmuesi i Real Madridit ka ndarë përvojën e tij për të qenë pjesë e një skuadre ku stërviten disa prej futbollistëve më të mëdhenj në botë.
I pyetur se kush është favoriti i tij për të fituar Topin e Artë, Espi nuk pati dilema.
“Mbappe”, u përgjigj shkurt sulmuesi spanjoll, duke zgjedhur yllin francez si kandidatin e tij të preferuar për çmimin individual më prestigjioz.
Espi foli edhe për futbollistët që e impresionojnë më së shumti gjatë përditshmërisë në qendrën stërvitore të Real Madridit.
“Për të të befasuar… Kylian, Jude, Vini… Thibaut! Të gjithë, të gjithë. Ata janë më të mirët në botë. E sheh çdo ditë konkurrencën e tyre. Kanë fituar shumë tituj dhe ende përpiqen të bëhen më të mirë çdo ditë. Është një privilegj, vërtet”, deklaroi ai.
I fokusuar në zhvillimin e karrierës së tij, Espi tregoi edhe objektivat që dëshiron t’i realizojë me Real Madridin dhe Kombëtaren e Spanjës.
“Të fitoj shumë tituj me Madridin, të arrij te Kombëtarja A, që është një ëndërr e fëmijërisë, dhe në afatshkurtër, ta kaloj mirë këtë grumbullim ndërkombëtar”, përfundoi sulmuesi. /Telegrafi/