Aston Villa është shndërruar në një nga klubet më ambicioze të Ligës Premier në vitet e fundit, duke sfiduar dominimin e skuadrave tradicionale të “Big Six” dhe duke synuar rregullisht kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Pas investimeve të mëdha në afatin kalimtar dhe një skuadre të ndërtuar nga trajneri Unai Emery, klubi nga Birminghami tashmë ka një nga faturat më të larta të pagave në futbollin anglez.
Sipas të dhënave të publikuara nga Capology, pagat e lojtarëve të Aston Villas tregojnë se klubi po investon fuqishëm për të mbajtur yjet e tij dhe për të sjellë përforcime të nivelit të lartë.
Pra, fatura vjetore e pagave të Aston Villas është rreth 121 milionë funte, ose afërsisht 140 milionë euro. Kjo e rendit klubin ndër skuadrat me buxhetin më të lartë të pagave.
Emiliano Martinez dhe Joao Gomes më të paguarit
Portieri argjentinas Emiliano Martinez, kampion bote me Argjentinën, është një nga lojtarët më të paguar të Aston Villas. Ai përfiton rreth 174 mijë euro në javë.
Në të njëjtin nivel është edhe mesfushori brazilian Joao Gomes, i cili iu bashkua klubit nga Wolverhampton për rreth 38 milionë funte dhe nënshkroi kontratë afatgjatë. Ai gjithashtu fiton rreth 174 mijë euro në javë.
Mesfushori francez Boubacar Kamara kompleton treshen e lojtarëve më të paguar me të njëjtën pagë.
Pagat e mbrojtësve
Në repartin defensiv, lojtari me pagën më të lartë është Lucas Digne, i cili fiton rreth 157 mijë euro në javë.
Pas tij vijnë:
- Victor Lindelöf – rreth 139 mijë euro në javë
- Tyrone Mings – rreth 128 mijë euro në javë
- Pau Torres – rreth 116 mijë euro në javë
- Ian Maatsen – rreth 116 mijë euro në javë
- Matty Cash – rreth 116 mijë euro në javë
Ndërkohë, Ezri Konsa, një nga mbrojtësit më të rëndësishëm të skuadrës dhe i lidhur me interesimin e Arsenalit, përfiton rreth 87 mijë euro në javë.
Mesfusha, reparti më i kushtueshëm
Aston Villa ka investuar shumë në mesfushë, ku pagat janë ndër më të lartat në skuadër.
Përveç Joao Gomes dhe Kamara, që kryesojnë listën, Amadou Onana përfiton rreth 162 mijë euro në javë, ndërsa kapiteni John McGinn rreth 151 mijë euro në javë.
Johan Manzambi, i cili iu bashkua klubit pas paraqitjeve të shkëlqyera në Kupën e Botës 2026 për Zvicrën, ka një pagë prej rreth 99 mijë euro në javë.
Sulmuesit: Abraham kalon Watkins
Në repartin ofensiv, Tammy Abraham është bërë një nga lojtarët më të paguar pas transferimit te Aston Villa.
Sulmuesi anglez fiton rreth 162 mijë euro në javë, duke kaluar edhe Ollie Watkins, i cili përfiton rreth 151 mijë euro në javë.
Pagat e sulmuesve:
- Tammy Abraham – 162 mijë euro/javë
- Ollie Watkins – 151 mijë euro/javë
- Leon Bailey – 139 mijë euro/javë
- Alejandro Garnacho – 128 mijë euro/javë
- Emiliano Buendia – 87 mijë euro/javë
- Evann Guessand – 87 mijë euro/javë
Pavarësisht se nuk ka historinë financiare të Manchester Cityt, Manchester Unitedit, Chelseat apo Arsenalit, Aston Villa tashmë po operon në një nivel të ngjashëm me klubet më të mëdha angleze.
Investimet në lojtarë si Martinez, Onana, Kamara, Abraham dhe Manzambi tregojnë ambicien e klubit për të qëndruar në mesin e skuadrave elitare dhe për të luftuar për trofe në vitet e ardhshme. /Telegrafi/
