Labinot Mirena, asambleist i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Obiliqit, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat e LDK-së dhe se mandatin do ta vazhdojë si asambleist i pavarur.
Përmes një postimi në Facebook, Mirena ka thënë se vendimi vjen si pasojë e mospajtimit të tij me qëndrimin e LDK-së ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
“Unë, si asambleist i LDK-së në Kuvendin Komunal të Obiliqit, nga sot jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mandatin tim do ta vazhdoj si asambleist i pavarur”, ka shkruar Mirena.
Ai ka thënë se për të kjo çështje nuk është vetëm politike apo partiake, por lidhet me parimet dhe bindjet e tij personale.
“Ky vendim shpreh mospajtimin tim të thellë me qëndrimin e LDK-së ndaj krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Për mua, kjo nuk është vetëm çështje politike apo partiake, por çështje parimesh dhe bindjesh personale, mbi të cilat nuk mund të bëj kompromis”, ka deklaruar ai.
Mirena ka shtuar se qëndrimi i LDK-së për këtë çështje, sipas tij, bie ndesh me bindjet që ka përfaqësuar.
“Për këtë arsye, nuk mund të vazhdoj të jem pjesë e një subjekti politik me të cilin, në një çështje kaq të rëndësishme, kam dallime thelbësore”, ka shkruar ai.
Ai ka bërë të ditur se mandatin në Kuvendin Komunal të Obiliqit do ta vazhdojë si asambleist i pavarur.
“Prandaj, nga sot mandatin tim në Kuvendin Komunal të Obiliqit do ta vazhdoj si asambleist i pavarur, me qëndrime të qarta dhe me përgjegjësi para qytetarëve të Obiliqit që më kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar”, ka përfunduar Mirena. /Telegrafi/