Asambleisti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Kuvendin Komunal të Pejës, Naim Bytyqi, ka kundërshtuar propozimin për Draft-Rregulloren për taksën e akomodimit, e cila parasheh që turistët që qëndrojnë në hotele dhe bujtina të paguajnë një taksë shtesë.
Përmes një reagimi publik, Bytyqi ka shprehur shqetësimin se kjo taksë mund të ndikojë negativisht në bizneset turistike, veçanërisht në rajonin e Rugovës, ku sipas tij, kushtet infrastrukturore vazhdojnë të jenë problematike.
Ai ka vlerësuar se vendosja e një takse të tillë mund t’i dekurajojë vizitorët dhe të ndikojë në uljen e numrit të turistëve që vizitojnë këtë zonë.
“Fshatrat e Rugovës nuk kanë fare sistem të ujësjellësit, nuk kanë fare sistem të kanalizimeve, si dhe përballen me probleme të mëdha në furnizimin me energji elektrike”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka vënë në pikëpyetje arsyeshmërinë e vendosjes së kësaj takse pa u përmirësuar paraprakisht kushtet infrastrukturore për banorët dhe vizitorët.
“Me çfarë logjike kërkohet një taksë pa pasur asnjë përmirësim të kushteve?”, ka pyetur Bytyqi.
Sipas tij, bizneset në Rugovë mund të jenë ndër më të prekurat nga kjo masë, ndërsa kërkon që para miratimit të saj të merret parasysh gjendja aktuale e turizmit dhe infrastruktura në këtë rajon. /Telegrafi/

