Mikel Arteta mbeti i tërbuar me tre prej lojtarëve të tij gjatë fitores së Arsenalit ndaj Napolit në Ligën e Kampionëve. Pavarësisht dominimit dhe triumfit 1-0, trajneri spanjoll shprehu zemërimin e tij ndaj Kai Havertz, Noni Madueke dhe Christos Tzolis për mënyrën se si reaguan në fazën defensive.
Arsenali vazhdoi startin perfekt të sezonit 2026/27, duke mposhtur me shumë vështirësi Napolin 1-0 në Ligën e Kampionëve.
Martin Odegaard ishte heroi i “Topçinjve”, duke shënuar golin e fitores në minutën e 75-të dhe duke i dhënë fund një ndeshjeje në të cilën londinezët kishin krijuar shumë raste.
Arsenali kishte kontrollin e lojës për pjesën më të madhe të takimit, por e pati të vështirë ta konkretizonte dominimin deri në momentin kur kapiteni Odegaard doli në skenë.
Me këtë fitore, Arsenali regjistroi suksesin e pestë radhazi në pesë ndeshjet e para të sezonit, duke konfirmuar ambiciet e larta të skuadrës edhe në Evropë.
Megjithatë, në minutat e fundit të ndeshjes, humori i Artetës ndryshoi plotësisht.
Trajneri spanjoll u pa duke reaguar me shumë zemërim në vijën anësore, pasi Havertz, Madueke dhe Tzolis nuk u kthyen në kohë për të ndihmuar në mbrojtje gjatë një kundërsulmi të rrezikshëm të Napolit.
Sipas komentatores së TNT Sports, Lucy Ward, Arteta ishte “jashtëzakonisht i zemëruar” me treshen për mënyrën se si po rikthehej në fazën defensive.
“Mikel Arteta ishte absolutisht i tërbuar në vijën anësore, sepse Havertz, Madueke dhe Tzolis nuk po riktheheshin pas atij aksioni”, deklaroi Ëard.
Në fund, Arsenali arriti ta përballojë presionin e vonshëm të Napolit, duke ruajtur portën e paprekur dhe duke marrë tri pikë të rëndësishme në Ligën e Kampionëve./Telegrafi/