Arsenali ka aktivizuar interesimin e tij serioz për transferimin e Morgan Gibbs-White gjatë afatit kalimtar të verës, me kërkesë të trajnerit Mikel Arteta, i cili e sheh mesfushorin anglez si përforcimin ideal për ta ndihmuar skuadrën të synojë triumfin në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Drejtuesit e klubit londinez janë detyruar të rishikojnë planet e tyre verore pasi mundësia për të transferuar Morgan Rogers është ftohur ndjeshëm në ditët e fundit.
Përballë kësaj situate, Arteta i ka kërkuar bordit të klubit të eksplorojë alternativa të tjera për të forcuar menjëherë repartin ofensiv.
Strategu spanjoll ka nevojë për një lojtar që mund të çajë mbrojtjet kundërshtare, të krijojë më shumë rrjedhshmëri në sulm dhe të shtojë kreativitetin në fazën përfundimtare të aksioneve.
Si rezultat, fokusi kryesor i Arsenalit është përqendruar tashmë te Morgan Gibbs-White, i cili po konsiderohet objektivi kryesor për mesfushën sulmuese.
Verën e kaluar, pronari i Nottingham Forest, Evangelos Marinakis, ndërhyri personalisht për të bllokuar largimin e lojtarit dhe për ta bindur atë të vazhdonte si lider i projektit të klubit edhe për një sezon tjetër.
Megjithatë, paraqitjet e shkëlqyera të reprezentuesit anglez gjatë sezonit të fundit kanë rikthyer interesimin e disa prej klubeve më të fuqishme në Angli, me Arsenalin që tani duket i vendosur të bëjë lëvizjen e tij për ta siguruar firmën e tij./Telegrafi/
