Emri i Arsene Wengerit po përmendet si një alternativë e mundshme për t’i dalë përballë Gianni Infantinos në zgjedhjet e ardhshme për president të FIFA-s, në një periudhë kur drejtuesi aktual po përballet me kundërshtime të shumta brenda futbollit botëror.
Sipas raportimeve të mediave, të publikuara fillimisht nga The Times, disa prej kundërshtarëve të Infantinos po shqyrtojnë mundësinë që ish-trajneri legjendar i Arsenalit të jetë kandidati alternativ në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, të cilat pritet të mbahen më 18 mars 2027 në Rabat të Marokut. Megjithatë, deri më tani nuk bëhet fjalë për një kandidaturë zyrtare.
Pakënaqësitë ndaj Infantinos
Pozita e Infantinos është vënë në pikëpyetje pas polemikave rreth projektit FIFA Forward Enterprise, i cili parashikonte përfshirjen e investitorëve privatë në aktivitetet komerciale të organizatës, përfshirë të drejtat televizive, sponsorizimet dhe të ardhurat nga garat.
Projekti hasi në kundërshtime për shkak të shqetësimeve mbi transparencën dhe mënyrën e vendimmarrjes.
Në fillim të gushtit, FIFA u tërhoq nga kjo nismë, por pakënaqësitë nuk u shuan. UEFA dhe disa konfederata të tjera kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj drejtimit të organizatës.
Wenger, nga bashkëpunëtor në alternativë të mundshme
Wenger, 76 vjeç, gëzon reputacion të madh në futbollin ndërkombëtar pas karrierës së tij të gjatë si trajner, veçanërisht në drejtimin e Arsenalit.
Që nga viti 2019, francezi mban një rol të rëndësishëm në FIFA si drejtues i zhvillimit global të futbollit.
Pikërisht për këtë arsye, emri i tij përbën një mundësi interesante për kundërshtarët e Infantinos: Wenger është pjesë e strukturave të FIFA-s, por së fundmi ka shprehur distancim nga disa prej nismave të presidentit.
Pas tërheqjes së projektit për përfshirjen e investitorëve privatë, Wenger deklaroi se ishte e domosdoshme që iniciativa të braktisej, duke theksuar rëndësinë e një FIFA-je të pavarur, transparente dhe të përkushtuar ndaj zhvillimit të futbollit.
Ai gjithashtu sqaroi se nuk kishte qenë i përfshirë në hartimin e projektit dhe se kishte mësuar për të nga mediat.
Për momentin, mbetet e paqartë nëse Wenger do të pranojë të hyjë në garën për presidencën e FIFA-s.
Emri i tij, megjithatë, është futur në diskutimet e atyre që po kërkojnë një alternativë ndaj Infantinos për zgjedhjet e vitit 2027. /Zëri

