Arsenali ka nisur të monitorojë nga afër qendërmbrojtësin e Sevillas, Kike Salas, në kuadër të përpjekjeve për të përforcuar repartin defensiv për pjesën e dytë të sezonit. Drejtuesit e klubit londinez pritet që në afatin kalimtar të ardhshëm të fokusohen kryesisht në rritjen e alternativave dhe rotacionit në skuadër.
Bordi i Arsenalit ka dërguar skautë në Spanjë për të ndjekur nga afër paraqitjen e lojtarit të Sevillas në ndeshjen e La Ligës ndaj Espanyolit. Interesimi i “Topçinjve” ka tërhequr vëmendjen edhe të Fulhamit nga Liga Premier.
Mbrojtësi 24-vjeçar është pjesë e ekipit të parë të Sevillas që nga janari i vitit 2023 dhe ka kontratë me klubin andaluzian deri në qershor të vitit 2029. Reprezentuesi i Spanjës U21, me katër paraqitje për këtë grupmoshë, vlerësohet rreth 14 milionë euro nga Transfermarkt dhe është bërë pjesë e rregullt e formacionit të Luis Garcia Plaza.
Për shkak të kohëzgjatjes së kontratës, Sevilla nuk është nën presion financiar për ta shitur lojtarin.
Për këtë arsye, drejtuesit e klubit pritet të kërkojnë një shumë më të lartë se vlera e tij në treg për të nisur negociatat me Arsenalin në afatet e ardhshme kalimtare.
Megjithatë, pavarësisht interesimit të madh nga ana teknike, Arsenali nuk pritet të bëjë ofertë zyrtare për Salasin pa u zgjidhur hetimi gjyqësor që lidhet me dyshimet për përfshirjen e tij në baste të paligjshme.
Përfaqësuesit e lojtarit shpresojnë për një përfundim pozitiv të çështjes, por drejtuesit e Arsenalit preferojnë të mos bëjnë investime financiare për të derisa rasti të marrë fund./Telegrafi/