Davor Macura, biznesmeni i afërt me Partinë Progresive Serbe (SNS) dhe pronar i Alta Bankës, është arrestuar gjatë natës, pas një bastisjeje të gjatë në ambientet e bankës.
Arrestimi vjen pas revokimit të licencës së bankës dhe shpalljes së falimentimit, në një skandal që ka ngritur pikëpyetje për lidhjet e saj me Rusinë dhe pushtetin në Serbi.
Macura, 44-vjeçar, është shndërruar në një nga biznesmenët më të pasur të Serbisë gjatë viteve të qeverisjes së SNS-së, duke ndërtuar një perandori biznesi që përfshin bankën, kompanitë e pagesave, pasuritë e paluajtshme dhe investimet në sektorë të ndryshëm.
Sipas raportimeve të mediave serbe, policia ka kryer kontrolle në ambientet e Alta Bankës për më shumë se 30 orë, pas njoftimit të Bankës Kombëtare të Serbisë se institucionit financiar i është hequr licenca për operim.
Rasti i Alta Bankës ka marrë vëmendje edhe për shkak të lidhjeve të saj me klientë rusë dhe dyshimeve për transferime të parave jashtë Serbisë. Sipas Financial Times, banka kishte një numër të madh klientësh rusë, ndërsa depozitat e tyre ishin rritur më shumë se pesëfish që nga periudha para pushtimit rus të Ukrainës. Autoritetet kanë kërkuar hetime për aktivitetet e bankës dhe transferimet e mundshme jashtë vendit.
Macura, 44-vjeçar, është shndërruar në një nga biznesmenët më të pasur të Serbisë gjatë qeverisjes së SNS-së. Ai nisi me këmbimore, më pas bleu bankën, krijoi kompani të shumta dhe në një periudhë zotëronte edhe një kompani ajrore.
Sipas raportimeve të mediave serbe, suksesi i tij i shpejtë në biznes është shoqëruar me marrëdhënie të afërta me pushtetin. Në fund të vitit 2025, ai u bë anëtar i Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Serbisë. Macura ishte gjithashtu anëtar i bordit drejtues të klubit të basketbollit Crvena Zvezda dhe aktualisht është nënkryetar i Bordit të Federatës së Boksit të Serbisë.
Skandali i Alta Bankës është thelluar pas raportimeve për transferime të dyshimta të parave jashtë Serbisë.
Sipas mediave serbe, avokati Ivan Niniq kishte kërkuar nga Banka Kombëtare e Serbisë nisjen urgjente të një kontrolli të jashtëzakonshëm të bankës, duke pretenduar se kishte informacione për transferime të shpejta të fondeve drejt llogarive dhe kompanive në Moskë dhe Shkup.
Edhe prokuroria për krim të organizuar ka kërkuar të hetohen aktivitetet e Alta Bankës dhe zyrtarët përgjegjës të bankës qendrore, në lidhje me daljen e mundshme të parave nga llogaritë e bankës dhe transferimin e tyre jashtë vendit.
Sipas Financial Times, Alta Banka kishte një rol të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve bankare për individë dhe kompani ruse pas nisjes së pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Depozitat e klientëve rusë në bankë ishin rritur më shumë se pesëfish në krahasim me periudhën para luftës.
Gazeta raportoi gjithashtu se zyrtarë serbë kishin deklaruar se klientët e bankës kishin tërhequr shuma të mëdha parash dhe kishin transferuar fonde të konsiderueshme jashtë vendit në ditët pas zgjedhjeve.
Macura dhe Alta kanë mohuar më herët akuzat për shkelje.
Macura është përfshirë edhe në listën e biznesmenëve që kanë investuar në fondet Vista Rica Invest dhe Vista Rica Corporate, të themeluara nga persona të afërt me SNS-në.
Sipas raportimit të Radar, ai kishte investuar si individ 25 milionë dhe 29.5 milionë dinarë, ndërsa Alta Pay Group kishte investuar edhe 69.38 milionë dinarë.
Në total, investimet e tij arrinin afro 124 milionë dinarë, apo më shumë se një milion euro.
Alta Pay Group kishte realizuar 59 milionë euro fitim neto gjatë pesë vjetëve të fundit. Të ardhurat e kompanisë u rritën nga 28 milionë euro në vitin 2020 në 140 milionë euro në vitin 2024, ndërsa fitimi nga 5.5 milionë në 18.8 milionë euro.
Sipas një hulumtimi të BIRN-it, Macura përmes kompanisë Danica Park kishte qenë pronar i dy parcelave që tani janë në pronësi të Nikola Petroviqit, kumbarit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
E njëjta kompani kishte qenë investitore në ndërtesa që po ndërtohen në tokën e bashkëshortes së Zvonko Veselinoviqit dhe në parcelat e Milan Radoiçiqit dhe bashkëshortes së tij. /Vijesti

