Një person, i dyshuar se ka kanosur disa turistë në bjeshkët e Junikut, është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka thënë për Telegrafin se më 20 shtator 2026, Policia është njoftuar për rastin përmes një video-incizimi të publikuar në një portal, ku shihej një person duke kanosur disa turistë në bjeshkët e Junikut.
Sipas Rugovës, Policia ka arritur ta identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin, i cili më pas është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
“Me datën 20.09.2026, Policia është njoftuar nga një video-incizim i cili është publikuar në një portal, se në bjeshkët e Junikut një person tani i dyshuar ka kanosur disa turistë. Policia ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin”, ka thënë Rugova për Telegrafin.
Ai ka bërë të ditur se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.
Rasti është cilësuar si “Kanosje”.
Ngjarja kishte ndodhur gjatë rrugëtimit të një grupi alpinistësh drejt Gjeravicës, në afërsi të zonës së njohur si “Liqeni i Zemrës”. /Telegrafi/