Dy të rinj nga Kosova janë arrestuar në pikën kufitare në Morinë të Shqipërisë, pasi kërkoheshin ndërkombëtarisht nga autoritetet gjermane për veprat penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Dëmtim prone”.
Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë të ditur se në pranga kanë përfunduar dy shtetas kosovarë, të moshës 22 dhe 24-vjeçare, të dy banues në Vushtrri, transmeton lajmi.net.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i tyre është realizuar nga shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në kuadër të operacionit “Wanted”, pas kontrolleve të bazuara në analizën e riskut.
Dy të rinjtë ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, në Gjermani, pasi Gjykata e Erfurtit, më 1 qershor 2026, i kishte dënuar secilin me nga 15 vjet burgim.
Dënimi ishte shqiptuar për veprat penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Dëmtim prone”, të parashikuara nga Kodi Penal gjerman.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:
Morinë, Kukës
Kontrolle intensive, bazuar në analizën e riskut, për kapjen e personave në kërkim, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania për vjedhje me dhunë, kapen në Morinë dy shtetas kosovarë, të dënuar me nga 15 vite burg secili.
Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, në kuadër të operacionit “Wanted”, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimi dy shtetas kosovarë, konkretisht:
M., 22 vjeç, dhe F. B., 24 vjeç, të dy banues në Vushtrri, Kosovë.
Këta shtetas ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi Gjykata e Erfurtit, Gjermani, më datë 01.06.2026, i ka dënuar me nga 15 vite burgim secilin, për veprat penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Dëmtim prone”, të parashikuara nga Kodi Penal Gjerman.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden, Gjermani, vijon punën për finalizimin e ekstradimit të këtyre shtetasve drejt Gjermanisë./lajmi.net/

