Arne Slot ka konfirmuar se nuk do ta marrë drejtimin e Kombëtares së Holandës, pasi dëshiron të vazhdojë karrierën në futbollin e klubeve.
Ish-trajneri i Liverpoolit e bëri të ditur vendimin përmes një deklarate të publikuar nga Voetbal International, duke sqaruar edhe raportimet se ai ishte tërhequr nga procesi pas negociatave të gjata me Federatën Holandeze të Futbollit.
“Gjatë javëve të fundit, e veçanërisht ditëve të fundit, janë publikuar raportime të ndryshme lidhur me pozitën e trajnerit të Kombëtares së Holandës, duke sugjeruar se unë isha tërhequr nga procesi pas negociatave të gjata, përfshirë diskutimet për pagën dhe kohëzgjatjen e kontratës.
“Këto spekulime nuk janë të sakta. Ne thjesht nuk arritëm kurrë në atë fazë të bisedimeve.
“Në këtë pikë të karrierës sime, preferoj ta shoh veten çdo ditë në fushën e stërvitjes me lojtarët e mi. Diçka e tillë thjesht nuk është e mundur në të njëjtën mënyrë me një kombëtare.
“Kam respekt të jashtëzakonshëm për Kombëtaren dhe KNVB-në dhe mund të flas vetëm pozitivisht për mënyrën profesionale se si u zhvilluan bisedimet gjatë asaj jave. Për momentin, besoj se futbolli i klubeve ende ka shumë për të më ofruar.
“Do të ishte një nder i madh që një ditë ta përfaqësoja vendin tim si trajner i kombëtares. Megjithatë, ky nuk ishte momenti i duhur për mua”.
Slot më herët kishte refuzuar edhe një ofertë për të drejtuar një klub në Ligën Profesionale të Arabisë Saudite, duke lënë të kuptohet se dëshiron të vazhdojë karrierën në Evropë.
Aktualisht, ish-trajneri i Liverpoolit nuk është i lidhur me ndonjë post tjetër, por duket se synimi i tij mbetet i qartë: të vazhdojë punën në futbollin e klubeve dhe të presë mundësinë e duhur për rikthimin në pankinë./Telegrafi/
