Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit në takim bilateral në Qeverinë e Republikës së Armenisë nga Kryeministri, Nikol Pashinyan.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim, Kurti shprehu falënderim për kontributin e forcave të armatosura armene në kuadër të KFOR-it, Qeverinë Armene për bashkëpunimin gjithnjë në rritje në mes të Armenisë dhe Kosovës, si dhe ftesën për pjesëmarrje në Konferencën Ndërkombëtare “Yerevan Dialogue”.
“Bashkëbisedimi u përqendrua në mundësitë konkrete për thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Armenisë, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik, investime dhe tregti, si dhe në ndërtimin e urave të qëndrueshme përmes shkëmbimeve akademike dhe kulturore”, vijon njoftimi.
Kryeministri Kurti falënderoi Kryeministrin Pashinyan për mikpritjen, duke vlerësuar se paqja në kontinentin evropian dhe përtej, ka nevojë për aleancën e demokracive.
Kujtojmë, Armenia është shtet që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës./Telegrafi/