Sekretari i Aleancës, Avni Arifi, ka reaguar pas prezantimit të të arriturave të Qeverisë nga kryeministri Albin Kurti, duke kritikuar qeverisjen e tij në disa sektorë, përfshirë energjinë, infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë dhe sigurinë.
Përmes një postimi, Arifi ka vënë në pikëpyetje rezultatet e prezantuara nga Kurti, duke thënë se, sipas tij, deklaratat për investime dhe përmirësime nuk përputhen me gjendjen në terren.
Ai ka përmendur problemet me furnizimin me energji elektrike, cilësinë e punimeve infrastrukturore, rezultatet e Kosovës në testin PISA dhe mungesën e barnave e materialeve esenciale në spitale.
Arifi ka ngritur gjithashtu pretendime për punësime partiake e nepotizëm në institucione publike, duke përmendur KEK-un, si dhe ka kritikuar Qeverinë për mënyrën e trajtimit të korrupsionit, sigurisë dhe politikave ekonomike.
Në reagimin e tij, ai ka shtruar edhe pyetje lidhur me blerjen e armatimit, pasojat e emigrimit dhe pretendimet e Qeverisë për kthimin e 200 mjekëve në Kosovë.
Arifi ka kritikuar edhe politikat e Qeverisë në raport me dhunën në familje, duke pretenduar se, pavarësisht strategjisë kombëtare, rastet e rënda të dhunës ndaj grave kanë shënuar rritje.
Në përfundim të reagimit, sekretari i Aleancës ka akuzuar qeverisjen e Kurtit për propagandë dhe për dështim në përmbushjen e pritjeve të qytetarëve.
“Kanë ardhë për ndryshim. Edhe ndryshuan. I mbushën xhepat e vet, e vendin e çunë në drejtim krejt të gabum”, ka shkruar Arifi.

