Për herë të parë në Kosovë ka nisur procesi i përfshirjes së arit në rezervat shtetërore nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), një zhvillim që po vlerësohet si hap i rëndësishëm në forcimin e stabilitetit financiar të vendit dhe modernizimin e menaxhimit të rezervave shtetërore.
Sipas njoftimit të BQK-së, ari tashmë është pjesë e portofolit të aseteve rezervë të Kosovës, duke u cilësuar si një arritje institucionale dhe si pjesë e strategjisë afatgjatë për diversifikimin e rezervave financiare.
Banka thekson se përfshirja e arit rrit qëndrueshmërinë dhe sigurinë e portofolit rezervë, veçanërisht në periudha pasigurie ekonomike dhe luhatjesh në tregjet globale.
“Përfshirja e arit forcon më tej diversifikimin, qëndrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të portofolit rezervë”, thuhet në komunikatën e BQK-së.
Në komunikatën zyrtare thuhet se ky vendim përfaqëson një hap fillestar në një proces afatgjatë të alokimit strategjik të rezervave, duke reflektuar progresin institucional të BQK-së dhe përmirësimet në qeverisjen financiare.
Po ashtu, theksohet se ky zhvillim është mbështetur edhe nga partnerë ndërkombëtarë si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Thesari amerikan, në kuadër të reformave në menaxhimin e aseteve dhe rrezikut financiar.
Në lidhje me këtë zhvillim, eksperti financiar Lulzim Beqiri, në një prononcim për Telegrafin, tha se përfshirja e arit në rezervat shtetërore është një sinjal i qartë se Kosova po ndërton një sistem financiar më të fortë dhe më të sigurt.
“Ky lajm konsiderohet shumë pozitiv dhe i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Përfshirja e arit në rezervat shtetërore është një sinjal i qartë se Kosova po ndërton një sistem financiar më të fortë dhe më të sigurt”, tha Beqiri.
Ai shtoi se ky veprim dëshmon pjekuri institucionale dhe afrimin e Kosovës me standardet moderne të bankave qendrore.
“Mbajtja e arit si pjesë e rezervave financiare është praktikë që përdoret nga shumë banka qendrore të fuqishme në botë, sepse ari shihet si aset i sigurt dhe afatgjatë. Kjo nënkupton se Kosova po forcon sigurinë financiare të shtetit. Rezervat shtetërore bëhen më stabile dhe më të mbrojtura nga krizat ekonomike. Ulet rreziku nga inflacioni dhe luhatjet e valutave të huaja. Rritet besueshmëria ndërkombëtare ndaj institucioneve financiare të Kosovës. Tregohet pjekuri institucionale dhe avancim në menaxhimin ekonomik”, ka thënë Beqiri.
Sipas BQK-së, ky proces vjen pas viteve të reformave në menaxhimin e rezervave valutore dhe forcimit të kornizës së brendshme institucionale.
Institucioni thekson se stabiliteti financiar i arritur deri më tani ka mundësuar jo vetëm zgjerimin e rezervave shtetërore, por edhe kontribute të rregullta në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Në ekonominë botërore, ari vazhdon të konsiderohet një prej instrumenteve më të rëndësishme të ruajtjes së vlerës dhe stabilitetit financiar, sidomos në periudha krizash ekonomike, inflacioni apo tensioneve gjeopolitike. Për këtë arsye, shumë banka qendrore kanë rritur vitet e fundit rezervat e tyre në ar.
Në rastin e Kosovës, ky hap shihet si pjesë e konsolidimit gradual të arkitekturës financiare shtetërore dhe e përafrimit me praktikat e bankave qendrore moderne.
Me nisjen e këtij procesi, Kosova hyn në një fazë të re të zhvillimit të politikës së saj financiare dhe monetare, duke ndërtuar gradualisht një komponent që historikisht ka qenë simbol i sigurisë ekonomike dhe i sovranitetit financiar të shteteve. /Telegrafi/