Frikë e madhe në Argjentinë, por gjithçka duket nën kontroll për Lionel Messin.
Sulmuesi 38-vjeçar shkaktoi shqetësim te tifozët pasi u largua nga fusha gjatë ndeshjes së Inter Miami kundër Philadelphia Union, vetëm pak javë para fillimit të Kupës së Botës.
Messi preku pjesën e pasme të kofshës dhe kërkoi zëvendësimin rreth 20 minuta para fundit të takimit, në një moment kur Inter Miami po barazonte 4-4.
Duke pasur parasysh rëndësinë e ndeshjes, largimi i tij ngriti menjëherë dyshime për një dëmtim serioz muskulor.
Megjithatë, raportimet e para nga Argjentina kanë qetësuar situatën. Sipas gazetarit Gaston Edul, kapiteni argjentinas ndjeu vetëm një shtrëngim të lehtë në muskulin e kofshës dhe vendosi të mos rrezikonte, duke kërkuar vetë zëvendësimin si masë paraprake.
Deri tani nuk është konstatuar asnjë dëmtim serioz.
Në fund, Inter Miami arriti të fitojë ndeshjen falë golave të Luis Suarez dhe Rodrigo De Paul në minutat e fundit, por vëmendja kryesore mbeti te gjendja e Messit.
Ndërkohë, kombëtarja e Argjentinës ende nuk e ka publikuar listën përfundimtare për Kupën e Botës, megjithëse gjithçka tregon se trajneri Lionel Scaloni do ta përfshijë liderin e skuadrës në turneun që pritet të jetë i fundit në karrierën e tij në skenën botërore.
Nëse grumbullohet, Messi do të arrijë një rekord historik së bashku me Cristiano Ronaldon, duke u bërë lojtarët e parë që marrin pjesë në gjashtë Kupa Bote.
Ylli argjentinas po kalon një sezon fantastik në MLS, me 13 gola dhe shtatë asistime në 16 ndeshje deri tani. /Telegrafi/
