Argjentina ka njoftuar se do të ngrejë akuza penale ndaj kompanisë së naftës Navitas Petroleum, e cila po zhvillon kërkime në ujërat pranë Ishujve Falkland.
Presidenti Javier Milei e ka cilësuar shpimin për naftë si një kërcënim për sovranitetin argjentinas, ndërsa qeveria pretendon se aktiviteti shkel ligjet e Argjentinës.
Londra reagoi menjëherë, duke theksuar se e ardhmja e Falklandeve u takon banorëve të ishujve dhe se qëndrimi britanik ndaj territorit mbetet i pandryshuar.
Tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm, më shumë se 40 vjet pas luftës së vitit 1982 për ishujt, transmeton Telegrafi.
Në qendër të përplasjes është projekti Sea Lion, ku Navitas zotëron 65 për qind. Fusha, e cila ndodhet rreth 209 kilometra nga Falklandet, vlerësohet të përmbajë rreth 1.7 miliardë fuçi naftë dhe prodhimi pritet të nisë në vitin 2028.
Navitas thotë se kundërshtimet e Mileit nuk pritet të ndikojnë në zhvillimin e projektit, ndërsa kompanitë theksojnë se kanë licenca të vlefshme nga autoritetet e Falklandeve. /Telegrafi/