Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, ka ndarë një reflektim mbi veprën e famshme “Lavdi marrisë” të autorit Erazmi i Roterdamit.
Përmes një postimi në facebook, Gola ka theksuar se mesazhet e kësaj vepre, edhe pesë shekuj pas publikimit, vazhdojnë të jenë aktuale dhe të shërbejnë si pasqyrë për shoqërinë.
“Pranë Erazmit të Roterdamit, autorit të veprës së famshme, ‘Lavdi marrisë’, e cila edhe sot mund të na shërbejë si pasqyrë para vetes.
Pesë shekuj më vonë, ironia e tij vazhdon të na prekë. Sa lehtë e ngatërrojmë titullin me dijen, pozitën me meritën, sigurinë në vetvete me të vërtetën por edhe se me çfarë lehtësie e dallojmë marrëzinë te të tjerët por jo edhe te vetja.
Vepra e Roterdamit mbetet një ftesë për ta ruajtur aftësinë për të pyetur, për të dëgjuar dhe për t’i shqyrtuar edhe bindjet e veta.
Libri në duart e tij siç shihet në statujë mbetet i hapur. Do të ishte mirë që të tilla t’i mbanim edhe mendimet tona”, ka thënë Gola./IndeksOnline/

