Mbi 100 të ftuar nga Italia dhe vende të tjera, përfaqësues institucionalë, studiues, sipërmarrës, artistë dhe të rinj u bënë bashkë në edicionin e dytë të festivalit “Arbëria Digital Fest 2026”, i cili u mbajt nga 23 deri më 25 tetor në tri vendbanime arbëreshe të Italisë.
Festivali përfshiu Karficin (Carfizzi), Shën Kollin (San Nicola dell’Alto) dhe Puheriun (Pallagorio), duke krijuar një hapësirë të përbashkët për promovimin e identitetit arbëresh, ruajtjen e gjuhës dhe traditave, si dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
I promovuar nga organizata Fili Meridiani APS, aktiviteti mblodhi pjesëmarrës nga Italia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Franca dhe Belgjika, shkruan Telegrafi.
Nën moton “Të trashëgosh, të tërheqësh, të gjenerosh”, festivali synoi të paraqesë Arbërinë jo vetëm si një trashëgimi kulturore që duhet ruajtur, por edhe si një komunitet që mund të krijojë mundësi të reja përmes turizmit, sipërmarrjes dhe teknologjisë.
Dita e parë e festivalit u zhvillua në Karfici, ku u diskutua për lidhjet ndërmjet komuniteteve arbëreshe, Ballkanit dhe diasporës shqiptare. Në këtë kuadër u prezantua dokumentari “COHA – Visioni d’Oriente in Arbëria”, ndërsa u trajtuan edhe projektet për përfshirjen e brezave të rinj dhe forcimin e rrjeteve ndërmjet profesionistëve e sipërmarrësve shqiptarë.
Në Shën Kolli, diskutimet u përqendruan te mundësitë e zhvillimit të zonave të brendshme përmes turizmit, produkteve lokale dhe sipërmarrjes. Pjesëmarrësit prezantuan përvoja që lidhen me gastronominë tradicionale, artizanatin, mikpritjen dhe turizmin e përvojës.
Ndërkaq, në Puheriu u organizuan aktivitete kulturore, gastronomike dhe muzikore, përfshirë vizita në monumentet dhe hapësirat historike arbëreshe, prezantime të artit tradicional, muraleve dhe produkteve lokale.
Një nga aktivitetet që tërhoqi vëmendje ishte “Dromësat Challenge”, kushtuar përgatitjes së kësaj paste tradicionale arbëreshe, ndërsa programi u shoqërua me muzikë dhe valle tradicionale.
Dita përmbyllëse iu kushtua të rinjve përmes punëtorisë “Arbëria Next”, ku ata diskutuan dhe propozuan ide për të ardhmen e komuniteteve arbëreshe në dhjetë vitet e ardhshme.
Në këtë edicion u përurua edhe projekti “OPEN ARBËRIA – Street Art Arbëreshe”, përmes të cilit disa porta të qendrës historike të Puheriu u shndërruan në vepra arti që paraqesin kujtesën dhe simbolet identitare të komunitetit arbëresh.
Presidenti i Fili Meridiani APS, Ettore Bonanno, prezantoi vizionin për krijimin e një ekosistemi kulturor, social dhe ekonomik që do të lidhë komunitetet arbëreshe me Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe diasporën ndërkombëtare.
Në këtë drejtim, ai vuri theksin edhe te roli i inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja në ruajtjen e gjuhës arbëreshe, digjitalizimin e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e territoreve.
Sipas organizatorëve, edicioni i dytë i “Arbëria Digital Fest” u realizua falë bashkëpunimit të tri bashkive pritëse, Karficit, Shën Kollit dhe Puheriu, si dhe mbështetjes së Fondacionit Carical dhe partnerëve të tjerë.
Festivali u përmbyll me koncertin e Enzo Iovine dhe Pietro Curci, duke bashkuar muzikën bashkëkohore me traditat arbëreshe.
“Tri ditë, tri katunde, mbi njëqind të ftuar dhe një vizion i vetëm: një Arbëri e aftë për t’u ndërlidhur, për të vlerësuar rrënjët e veta dhe për t’u përballur me sfidat e inovacionit”, thuhet në përmbledhjen e organizatorëve./Telegrafi/

