Dinamo Zagreb është shpallur kampion i Kroacisë për herën e 26-të në histori, duke e siguruar titullin edhe pa zbritur në fushë në ndeshjen e planifikuar të së dielës ndaj Varazdinit.
Titulli u vulos matematikisht pas barazimit 0-0 mes HNK Rijeka dhe Hajduk Split. Ky rezultat e la Hajdukun 12 pikë prapa Dinamos, ndërsa me bilanc më të dobët në përballjet direkte, skuadra nga Spliti nuk ka më asnjë mundësi ta arrijë ekipin e Zagrebit.
Tani, Dinamo ka mundësinë të kompletojë edhe dopietën në garat vendore. Ata do të përballen me Rijekan në finalen e Kupës së Kroacisë më 13 maj, ndërsa trofeun e kampionatit pritet ta ngrejnë zyrtarisht në stadiumin Maksimir më 23 maj, në ndeshjen e fundit si vendas kundër Lokomotivas.
Ky sezon po konsiderohet një nga fushatat më dominuese të Dinamos në vitet e fundit. Pas një periudhe kur kampionati kroat ishte bërë më konkurrues dhe titujt shpesh vendoseshin në javët e fundit, Dinamo ka rikthyer qartë epërsinë e saj tradicionale.
Rol kyç padyshim kishte edhe sulmuesi Arbër Hoxha, i cili thuhet se po kalon sezonin e fundit në fanellën e skuadrës kroate meqenëse mund të largohet në verë. Ai këtë edicion ka zhvilluar 38 paraqitje për Dinamon, për të kontribuar me gjashtë gola e nëntë asistime./Telegrafi/