Gjykata e Apelit ia ka lënë në fuqi aktakuzën ish-ministres Rozeta Hajdari për aferën e rezervave shtetërore, ndërsa sot, në orën 09:30, vazhdon procesi gjyqësor ndaj saj.
Hajdari dhe tre të akuzuarit e tjerë do të përballen me aktakuzën të ngritur nga Prokuroria Speciale për keqpërdorime që dyshohet se i kushtuan shtetit afro tre milionë euro.
Bëhet fjalë për një nga rastet më të përfolura të dyshimeve për keqpërdorime gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, që tashmë ka kaluar pengesat procedurale të aktakuzës.
Si nisi gjithçka?
Më 13 nëntor, Gjykata e Apelit refuzoi ankesat e mbrojtjes, duke lënë në fuqi aktakuzën e PSRK-së.
Ky vendim ia hapi rrugën vazhdimit të shqyrtimit gjyqësor, ku Prokuroria do të duhet t’i provojë akuzat e ngritura.
Sipas aktvendimit që ka lexuar Nacionale, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se veprimet e të akuzuarve i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm financiar prej afro tre milionë eurosh.
“REFUZOHEN si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve Rozeta Hajdari, av. Florent Latifaj, Irfan Lipovica, av. Feim Alaj, Hafiz Gara, av. Nazim Mehmeti, dhe Ridvan Muharremi, av. Mahmut Halimi”, thuhet në aktvendim.
Vendimi i Apelit nuk e përcakton fajësinë e të akuzuarve, por se çështja ka bazë të mjaftueshme për t’u gjykuar.
Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën më 11 nëntor 2025, pas hetimeve lidhur me blerjen e rezervave shtetërore gjatë vitit 2022.
Sipas Prokurorisë, veprimet e të akuzuarve dyshohet se i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm prej 2 milionë e 912 mijë eurosh.
Dyshimet lidhen me kontratat për blerjen e grurit nga një kompani turke, si dhe të vajit dhe sheqerit nga një kompani polake, në kuadër të furnizimit të rezervave shtetërore.
Hajdari akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare, të dyja në bashkëkryerje.
Me të njëjtat akuza përballen edhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.
Ky i fundit akuzohet edhe për një vepër të veçantë të zbulimit të fshehtësisë zyrtare.
Ndërkaq, biznesmeni Ridvan Muharremi akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Procesi gjyqësor ishte përballur me pengesa që në fillim, kur seanca e parë, e caktuar më 10 dhjetor 2025, kishte dështuar.
Më 13 janar, Gjykata Themelore mbajti seancën fillestare, por gjyqtari Avni Syla vendosi ta përjashtonte publikun dhe mediat.
Vendimi u arsyetua me nevojën për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara dhe dëshmitarëve.
Më 13 mars, Gjykata Themelore refuzoi kërkesat e mbrojtjes për hedhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Avokatët e kundërshtuan këtë vendim në Apel, por ankesat e tyre u refuzuan më 13 nëntor.
Hajdari i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se Prokuroria Speciale ka vepruar me motive politike ndaj Qeverisë Kurti.
Në këtë rast, Prokuroria kishte kërkuar disa herë të intervistonte si dëshmitar edhe kryeministrin Albin Kurti, i cili nuk është paraqitur në zyrat e saj.

