KORREKT / SOT26 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Anulohet vizita e planifikuar e Zelenskyt – për bisedime paqeje – në Bruksel

Anulohet vizita e planifikuar e Zelenskyt – për bisedime paqeje – në Bruksel

Vizita e planifikuar e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Bruksel, këtë javë, për bisedime të nivelit të lartë me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n, raportohet se është anuluar.

Dmytro Lytvyn, këshilltari për komunikim i Zelenskyt, u tha gazetarëve të hënën se Kievi nuk mund ta konfirmonte më vizitën, për shkak të ndryshimeve në planet e palës amerikane.

Duke folur për mediat ukrainase të dielën, Zelensky tha se bisedimet ishin planifikuar për datat 27 ose 28 tetor dhe në to pritej të merrnin pjesë përfaqësues të Ukrainës, SHBA-së dhe BE-së, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

I pyetur nga Euronews lidhur me bisedimet e planifikuara, Komisioni Evropian deklaroi se mbetet i angazhuar në përpjekje diplomatike, por nuk dha detaje të mëtejshme, përcjell Telegrafi.

“Komisioni vazhdon të marrë pjesë në bisedime dhe përpjekje me aleatët dhe partnerët për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën”, tha një zëdhënës i Komisionit për Euronews.

“Në këtë fazë, nuk kemi informacione të tjera për të ndarë”.

Takimi në Bruksel synonte të pasonte një sërë diskutimesh diplomatike të zhvilluara në Oslo javën e kaluar, përfshirë bisedimet midis Zelenskyt dhe të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, në të cilat morën pjesë gjithashtu presidenti finlandez Alexander Stubb dhe kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre.

Sipas Zelenskyt, në diskutime më të gjera përfshiheshin edhe këshilltarët e sigurisë të liderëve të Britanisë, Francës dhe Italisë, si dhe Björn Seibert, shefi i kabinetit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Zelensky tha se SHBA-ja i informoi më pas partnerët e saj, pas bisedimeve që Witkoff zhvilloi me presidentin rus Vladimir Putin në Shën Petersburg.

“Ne morëm një informim nga amerikanët; tani ata nuk kërkojnë thjesht të na informojnë, por duan të diskutojnë për sigurinë, garancitë, si dhe për përfshirjen e BE-së në një kuptim më të gjerë”, theksoi Zelensky.

“Ata kërkojnë një takim në Bruksel këtë javë. Amerikanët, Ukraina, BE-ja në nivel presidencial dhe NATO-ja në nivel të Sekretarit të Përgjithshëm. Nuk e di nëse do të ketë edhe të tjerë pjesë të këtij grupi në Bruksel”.

Ky zhvillim vjen në prag të një raundi tjetër negociatash midis ekipeve ukrainase, amerikane dhe ruse, të cilat, sipas Zelenskyt, ishin planifikuar për gjysmën e parë të nëntorit.

Abu Dabi është përmendur si një vend i mundshëm, ndonëse data dhe vendndodhja ende nuk janë konfirmuar. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.