Anton Cena ka treguar edhe një herë se vitet janë veç numër, ai nuk di të plaket kurrë.
Mundi dhe sakrifica e veteranit të xhudos u shpërblyen edhe një herë.
Cena ka shkëlqyer në Garat Evropiane të Policisë dhe Zjarrfikësve, duke i fituar plot gjashtë medalje, duke përfshirë këtu xhudon dhe notin.
Krahas suksesit, ai mburret edhe për diçka tjetër, të cilën e bëri për herë të parë për vendin tonë, shkruan gazeta “Express”.
“Për herë të parë dhe në zemër të Spanjës, ndodhi diçka e veçantë: flamuri i Republikës së Kosovës u valëvit në këtë ngjarje. Dhe, krenaria ime është edhe më e madhe sepse flamurin e shtetit tim e mbajta vetë në shtizë, nga qendra e nisjes deri në shesh. Eca me të me krenari, duke e përfaqësuar Kosovën dhe duke dëshmuar se dashuria për atdheun nuk njeh pengesa. Medaljet janë fituar nga unë, por krenaria është e Kosovës”, shkroi në rrjetet sociale Anton Cena, një ambasador i sportit të Kosovës.
Me të mbërritur në atdhe, Cenës iu bë një pritje speciale nga kolegët e Policisë së Kosovës, të cilët e përgëzuan për suksesin e arritur në Vigo të Spanjës.
Cena nuk i harron assesi as kolegët e tij policë, të rënë dëshmorë për tokën dardane, Enver Zymberin dhe Afrim Bunjakun.
Prandaj, dy prej medaljeve të fituara në këtë garë do t’ua ndajë fëmijëve të dy policëve dëshmorë, të cilët ia plotësuan dëshirën për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

