Barcelona ka bërë një lëvizje të fuqishme në afatin kalimtar, duke siguruar shërbimet e sulmuesit anglez Anthony Gordon nga Newcastle United për një shumë që mund të arrijë në 80 milionë euro (70 milionë euro fikse plus bonuse).
Transferimi i 25-vjeçarit ka ngjallur pritshmëri të mëdha te tifozët katalanas, ndërsa tashmë kanë nisur edhe diskutimet rreth rolit që ai do të ketë në ekipin e Hansi Flick.
Sipas raportimeve të Diario Sport, Gordon pritet të aktivizohet kryesisht në krahun e majtë të sulmit, ku do të rrisë konkurrencën dhe do të ofrojë alternativa shtesë për Raphinhan.
Barcelona nuk e sheh anglezin si një qendërsulmues klasik, pasi drejtuesit e klubit synojnë të transferojnë një numër 9 të nivelit të lartë gjatë kësaj vere.
Një nga problemet kryesore të Barcelonës sezonin e kaluar ishin dëmtimet e shpeshta të Raphinhas.
Mungesa e brazilianit në momentet vendimtare u konsiderua si një nga faktorët që ndikuan në eliminimin e ekipit nga Liga e Kampionëve në fazën çerekfinale.
Trajneri Hansi Flick dëshiron të ketë më shumë thellësi dhe intensitet në repartin ofensiv, me Gordon dhe Raphinhan që njihen për presionin e pandërprerë ndaj kundërshtarëve dhe angazhimin e lartë pa top.
Për më tepër, ardhja e Gordon mund të ndihmojë në menaxhimin e ngarkesës së Raphinhas, i cili po afrohet drejt moshës 30-vjeçare dhe ka hasur probleme të shumta fizike gjatë sezonit të fundit.
Në edicionin e kaluar, Anthony Gordon regjistroi 17 gola dhe pesë asistime në të gjitha garat me fanellën e Newcastle United, duke konfirmuar statusin e tij si një nga sulmuesit më të spikatur në futbollin anglez. /Telegrafi/
