Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, duke i hapur kështu rrugën anëtarësimit të vendit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Ky akt rregullon kontrollin dhe verifikimin e mjeteve financiare në transaksionet ndërkombëtare.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Uran Radoniqi, me hyrjen në këtë mekanizëm transferet me vendet e Bashkimit Evropian do të kryhen brenda ditës, ndryshe nga praktika aktuale që zgjat dy deri në tri ditë dhe kushton 15 deri në 25 euro.
Për finalizimin e këtij procesi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, kërkoi që Banka Qendrore e Kosovës (BQK) t'i ndërmarrë sa më shpejt hapat e nevojshëm teknikë në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të përfitojnë nga tarifat më të ulëta.
Kosova e ka nisur zyrtarisht rrugëtimin për integrim në SEPA në dhjetor të vitit 2024.
Për më shumë ndiqeni kronikën më poshtë:

