KORREKT / SOT19 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

ANALIZË: 13 xhiro, 10 histori të ndryshme, kush po sundon Superligën, kush po befason dhe kush po dështon keq?

ANALIZË: 13 xhiro, 10 histori të ndryshme, kush po sundon Superligën, kush po befason dhe kush po dështon keq?

Superliga e Kosovës ka hyrë në një fazë interesante të kampionatit. Pas 13 xhirove, Prishtina është shkëputur në krye të tabelës, Malisheva po dëshmon se nuk është rastësi, Drita dhe Gjilani mbeten në ndjekje, ndërsa Ballkani, që në vitet e fundit ka qenë protagonist i garës për titull, aktualisht gjendet jashtë katër vendeve të para.

Por, përtej renditjes së përgjithshme, statistikat e ndeshjeve si vendas dhe mysafirë zbulojnë disa detaje shumë interesante: Prishtina është jashtëzakonisht e fortë në udhëtime, Gjilani dominon në shtëpi, ndërsa Feronikeli ’74 dhe Llapi kanë dallime të mëdha në paraqitjet para tifozëve të tyre dhe jashtë fushe.

Prishtina, lider me meritë dhe me një armë të fortë në udhëtim

Prishtina e Orges Shehut është skuadra që po e udhëheq kampionatin pas 13 xhirove, me 32 pikë të grumbulluara. Kryeqytetasit kanë regjistruar 25 gola të shënuar dhe vetëm 10 të pranuar, duke pasur një diferencë prej +15.

Megjithatë, statistika më mbresëlënëse e bardhekaltërve është paraqitja si mysafirë. Në shtatë ndeshje jashtë shtëpisë, Prishtina ka grumbulluar 19 pikë, me 13 gola të shënuar dhe vetëm pesë të pranuar.

Kjo do të thotë se 19 nga 32 pikët e Prishtinës janë fituar në udhëtim. Një tregues i qartë i stabilitetit dhe aftësisë për të marrë rezultate edhe në terrenet kundërshtare.

Në shtëpi, Prishtina ka 13 pikë nga gjashtë ndeshje. Pra, skuadra kryeqytetase nuk është vetëm lider, por edhe ekipi me bilancin më të mirë si mysafir.

Malisheva, nga surpriza në pretendente serioze

Në vendin e dytë renditet Malisheva me 27 pikë, pesë më pak se Prishtina. Por, nëse ekziston një skuadër që meriton vëmendje të veçantë në këtë fazë të kampionatit, ajo është pikërisht Malisheva.

Me 27 gola të shënuar, Malisheva ka sulmin më produktiv në kampionat. Ajo ka pranuar vetëm 11 gola, duke pasur diferencën më të mirë të golave në ligë, +16.

Edhe ndarja e pikëve mes ndeshjeve në shtëpi dhe atyre në udhëtim është mjaft interesante. Malisheva ka 12 pikë në shtëpi dhe 15 si mysafire.

Kjo tregon se skuadra nuk varet vetëm nga terreni i saj, por është në gjendje të imponojë lojën edhe kundër kundërshtarëve në udhëtim.

Pesë pikë diferencë nga Prishtina nuk janë pak, por as të paarritshme. Me këtë produktivitet ofensiv dhe stabilitet në mbrojtje, Malisheva ka arsye të besojë në vazhdimin e garës për kreun.

Skuadra nuk e ka ndryshuar fizionominë e lojës edhe pas largimit të Brdaric, me Kastriot Rexhën që po bën punë shumë të mirë.

Drita dhe Gjilani, dy skuadra që po kërkojnë më shumë vazhdimësi

Drita e Ardian Nuhiut gjendet në pozitën e tretë me 24 pikë, tri më pak se Malisheva dhe tetë larg lideres Prishtina. Skuadra gjilanase ka shënuar 19 gola dhe ka pranuar 11, duke pasur një bilanc pozitiv prej +8.

Ajo që bie në sy te Drita është dallimi i madh ndërmjet rezultateve në shtëpi dhe jashtë saj. Në shtatë udhëtime ka marrë 16 pikë, ndërsa në gjashtë ndeshje si vendase vetëm tetë.

Pra, Drita ka fituar dyfish më shumë pikë jashtë shtëpisë sesa në stadiumin e saj. Kjo është një statistikë mjaft interesante për një skuadër që synon të jetë në garë për titull.

Në anën tjetër, Gjilani renditet i katërti me 22 pikë dhe është skuadra me më së shumti pikë të fituara në shtëpi.

Në shtatë ndeshje para tifozëve të vet, Gjilani ka marrë 14 pikë, me 12 gola të shënuar dhe shtatë të pranuar. Jashtë shtëpisë ka gjashtë ndeshje dhe vetëm tetë pikë.

Gjilani është dëshmi se terreni vendas vazhdon të ketë rëndësi të madhe në Superligë. Megjithatë, nëse dëshiron të luftojë për pozita edhe më të larta, duhet të përmirësojë rezultatet në udhëtim, gjë të cilën e synon edhe trajneri i ri, Zekirija Ramadani.

Ballkani, larg standardeve të viteve të fundit

Një nga befasitë e renditjes është pozita e Ballkanit. Skuadra nga Suhareka ndodhet në vendin e pestë me 19 pikë, plot 13 pikë larg Prishtinës.

Pas 13 ndeshjeve, Ballkani ka regjistruar gjashtë fitore, një barazim dhe gjashtë humbje. Ka shënuar 17 gola dhe ka pranuar 11.

Interesante është se Ballkani ka bilanc relativisht të mirë në mbrojtje, por problemi kryesor duket të jetë vazhdimësia e rezultateve.

Në shtëpi ka marrë 10 pikë nga gjashtë ndeshje, ndërsa në udhëtim në shtatë ndeshje ka grumbulluar nëntë pikë.

Për një skuadër me ambiciet dhe pritshmëritë e Ballkanit, vendi i pestë nuk mund të konsiderohet pozicion i kënaqshëm. Megjithatë, diferenca prej pesë pikësh me vendin e tretë tregon se gara për t’u rikthyer në zonën e kreut mbetet plotësisht e hapur.

Kujtojmë që skuadra nga Suhareka i ndau rrugët me trajnerin Sami Sermaxhaj, ndërsa ende nuk ka vendosur për trajnerin e ri.

Dukagjini, skuadra që barazon shumë

Dukagjini është në pozitën e gjashtë me 18 pikë, vetëm një më pak se Ballkani.

Por statistika më interesante e skuadrës klinase është numri i barazimeve. Në 13 ndeshje ka regjistruar katër fitore, gjashtë barazime dhe tri humbje.

Dukagjini është skuadra me më së shumti barazime në kampionat, së bashku me Drenicën.

Edhe golaverazhi i saj është interesant: 11 gola të shënuar dhe 11 të pranuar. Një bilanc krejtësisht i barabartë.

Në shtëpi ka marrë 11 pikë nga shtatë ndeshje, ndërsa si mysafir shtatë pikë nga gjashtë ndeshje.

Dukagjini i Dallkut po tregon se është kundërshtar i vështirë për t’u mposhtur, por numri i madh i barazimeve mund t’i kushtojë në garën për pozita më të larta.

Feronikeli ’74, kontrasti më i madh mes shtëpisë dhe udhëtimit

Feronikeli renditet i shtati me 15 pikë, por statistikat e tij zbulojnë një kontrast të jashtëzakonshëm.

Në shtatë ndeshje si vendas ka marrë 13 pikë, duke shënuar nëntë gola dhe duke pranuar shtatë.

Ndërsa në gjashtë ndeshje si mysafir ka grumbulluar vetëm dy pikë, me dy gola të shënuar dhe nëntë të pranuar.

Pra, 13 nga 15 pikët e Feronikelit janë fituar në shtëpi. Kjo e bën njërën prej skuadrave me dallimin më të madh ndërmjet paraqitjeve në shtëpi dhe jashtë saj.

Drenica, në një pozitë ku çdo pikë ka rëndësi

Drenica është e teta me 12 pikë, me dy fitore, gjashtë barazime dhe pesë humbje.

Skuadra nga Skenderaj ka shënuar 13 gola dhe ka pranuar 20, duke pasur golaverazhin -7.

Një detaj interesant është shpërndarja e pikëve: Drenica ka marrë nga gjashtë pikë si në shtëpi, ashtu edhe në udhëtim.

Megjithatë, statistikat defensive janë shqetësuese. Në shtatë ndeshje në shtëpi ka pranuar 11 gola, ndërsa në gjashtë udhëtime ka pranuar nëntë.

Diferenca me vendin e gjashtë është gjashtë pikë, ndërsa me vendin e shtatë tri pikë. Kjo do të thotë se Drenica ka ende mundësi të afrohet me mesin e tabelës, por duhet të shndërrojë më shumë nga barazimet në fitore.

Llapi, kriza që po bëhet gjithnjë e më shqetësuese

Llapi i Tahir Batatinës është një prej zhgënjimeve më të mëdha të këtij kampionati. Skuadra nga Podujeva gjendet në vendin e nëntë me vetëm tetë pikë pas 13 xhirove.

Me dy fitore, dy barazime dhe nëntë humbje, Llapi ka shënuar 11 gola dhe ka pranuar 26.

Por ajo që e bën situatën edhe më alarmante është bilanci në shtëpi.

Në gjashtë ndeshje si vendas, Llapi nuk ka fituar asnjë pikë. Ka shënuar vetëm dy gola dhe ka pranuar plot 12.

Në anën tjetër, të gjitha tetë pikët i ka marrë në udhëtim, ku ka shënuar nëntë gola dhe ka pranuar 14.

Është një statistikë e pazakontë: Llapi ka pikë vetëm nga ndeshjet jashtë shtëpisë, ndërsa para tifozëve të vet ka dështuar plotësisht deri në këtë fazë.

Me 15 pikë diferencë nga vendi i parë dhe vetëm tetë pikë në total, situata kërkon reagim të menjëhershëm.

Vushtrria, fundi i tabelës dhe një situatë alarmante

Në pozitën e fundit gjendet Vushtrria, e cila ka vetëm tri pikë nga 13 ndeshje.

Bilanci prej një fitoreje dhe 12 humbjeve, pa asnjë barazim, flet shumë për vështirësitë e skuadrës në këtë kampionat, duke mos e harruar edhe krizën e madhe financiare.

Vushtrria ka shënuar vetëm shtatë gola dhe ka pranuar 31, duke pasur golaverazhin më të dobët në Superligë (-24).

Në shtëpi ka fituar tri pikë nga shtatë ndeshje, ndërsa në gjashtë udhëtime nuk ka marrë asnjë pikë, shto këtu edhe ndeshjen ndaj Ballkanit, të cilën nuk e zhvilloi fare, pra lojtarët e bojkotuan atë.

Rrjedha e kampionatit do të jetë shumë e vështirë, kjo edhe për shkakun se ndeshjet si vendas kjo skuadër po detyrohet t’i zhvillojë jashtë Vushtrrisë.

Analiza e statistikave: Kush dominon në shtëpi dhe kush në udhëtim?

Të dhënat nga tri renditjet, e përgjithshme, si vendase dhe si mysafire, japin një pasqyrë interesante të kampionatit.

Katër statistikat më interesante:

  1. 19 pikë – Prishtina: më së shumti pikë si mysafire në ligë.
  2. 14 pikë – Gjilani: më së shumti pikë si vendas.
  3. 27 gola – Malisheva: sulmi më produktiv.
  4. 31 gola – Vushtrria: më së shumti gola të pranuar.

Disa kontraste që vlejnë të theksohen:

  • Drita ka 16 pikë jashtë shtëpisë, por vetëm tetë në shtëpi.
  • Feronikeli ka 13 pikë në shtëpi dhe vetëm dy jashtë.
  • Llapi nuk ka marrë asnjë pikë në shtëpi.
  • Drenica ka ndarë pikët në mënyrë të barabartë: gjashtë në shtëpi dhe gjashtë jashtë.
  • Malisheva është skuadra e vetme që ka shënuar më shumë se 25 gola.

/GazetaBlic Sport/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.