KORREKT / SOT14 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Ambasada e Kosovës në Suedi organizon takim me bizneset e diasporës, diskutohet për investimet në vendlindje

Ambasada e Kosovës në Suedi organizon takim me bizneset e diasporës, diskutohet për investimet në vendlindje

Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm ka organizuar një takim informues me përfaqësues të bizneseve të diasporës kosovare në rajonin e Stokholmit, ku në fokus ishin mundësitë e investimit në Kosovë dhe mekanizmat financiarë që mund t’i mbështesin këto iniciativa, shkruan Telegrafi.

Sipas njoftimit të Ambasadës së Kosovës në Suedi, takimi kishte për qëllim krijimin e lidhjeve të drejtpërdrejta ndërmjet institucioneve financiare të Kosovës dhe bizneseve të diasporës, si dhe informimin e bashkatdhetarëve për mundësitë e investimit në vendlindje.

Ambasadorja Shkendije Geci-Sherifi, në fjalën hyrëse, uroi mirëseardhje për të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e forcimit të komunikimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe diasporës, me synim lehtësimin e investimeve dhe përfshirjen e potencialit të saj ekonomik në zhvillimin e vendit.

Gjatë takimit, përfaqësues të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore prezantuan mundësitë që ofron ky institucion përmes skemave të garancive kreditore, të cilat synojnë të lehtësojnë qasjen në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe Dritares për Investime të Diasporës, një instrument që synon të lehtësojë qasjen në kredi për bashkatdhetarët që dëshirojnë të themelojnë biznese të reja në Kosovë ose të zhvillojnë ato ekzistuese, nëse i plotësojnë kriteret përkatëse.

Ndërkaq, përfaqësuesi i BKT Kosovës, Milot Kadrijaj, prezantoi mundësitë e financimit dhe rolin e bankës në zbatimin e kësaj skeme.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të bizneseve të diasporës nga sektorë të ndryshëm, përfshirë ndërtimtarinë, gastronominë, dizajnin grafik, shtypin dhe shërbimet publike. Diskutimet u përqendruan në mundësitë dhe procedurat e investimit në Kosovë, ndërsa të pranishmit patën mundësi të shkëmbejnë përvoja dhe të parashtrojnë pyetje konkrete.

Ambasada e Kosovës në Stokholm ka bërë të ditur se do të vazhdojë të mbështesë iniciativat që synojnë forcimin e lidhjeve ekonomike me diasporën dhe shfrytëzimin e potencialit të saj investues, profesional dhe ndërmarrës në zhvillimin e Kosovës./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.