Nuk dihet çfarë bie më shumë në sy: prerja, ngjyra apo vetëbesimi me të cilin e mban
Amal Clooney edhe një herë tregoi pse konsiderohet një nga gratë më të veshura mirë në skenën publike. Rrallë ndonjë kritik mode do të mund t’i gjente vërejtje, sepse ajo thjesht e di shumë mirë çfarë i shkon. Paraqitja e fundit publike dhe kombinimi i saj i fundit janë dëshmi e radhës e shijes së saj të pagabueshme.
Amal Clooney u shfaq pranë bashkëshortit të saj, George Clooney, në ceremoninë solemne të ndarjes së çmimeve Chaplin Award në New York. Mbrëmja gala u mbajt në Alice Tully Hall, në kuadër të Lincoln Center, ndërsa kjo ngjarje konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme vjetore kushtuar artit filmik.
Clooney, aktori 64-vjeçar fitues i Oscarit, ishte në qendër të vëmendjes si laureati i këtij viti, i nderuar për “karrierën e shumëanshme si aktor, regjisor dhe producent, por edhe për punën humanitare dhe integritetin personal”.
Sa i përket dukjes, ai zgjodhi formulën e provuar: kostum të zi, këmishë të bardhë dhe papijon. Një kombinim klasik që gjithmonë është zgjedhje e sigurt. Nuk ka çfarë t’i shtosh e as çfarë t’i heqësh. Megjithatë, vëmendjen e të pranishmëve pothuajse në të njëjtën masë e tërhoqi edhe Amal, transmeton Telegrafi.
Për këtë rast, ajo zgjodhi një minifustan shumë të veçantë në nuancë të fortë vjollce, me prerje asimetrike dhe volum të theksuar në pjesën e sipërme. Modeli zbulon njërin sup dhe këmbët, por falë strukturës dhe prerjes duket i sofistikuar. Amal e kombinoi me këpucë elegante të arta dhe çantë në të njëjtin ton, duke e theksuar edhe më shumë karakterin glamuroz të paraqitjes.
Clooney ndër aktorët më të paguar në botë
Përveç sukseseve profesionale, çifti Clooney ka arsye për festë edhe sa u përket financave, duke pasur parasysh se George së fundmi u përfshi në listën e 20 aktorëve më të paguar të vitit 2026. Vëmendje të madhe tërhoqi edhe fitimi nga angazhimi i tij i vitit të kaluar në Broadway.
Përndryshe, Amal dhe George Clooney prej vitesh arrijnë të ruajnë ekuilibrin mes detyrimeve publike dhe jetës familjare. Ata janë të martuar që nga viti 2014 dhe së bashku kanë binjakët Alexander dhe Ella, të cilët tani janë 9 vjeç. Çifti përpiqet t’i mbrojë sa më shumë nga vëmendja mediatike. /Telegrafi/