Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi, ka pritur sot në një takim Nikola Tunicin, deputet në Parlamentin e Hamburgut, i cili ka prejardhje nga Vitia.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Krasniqi përmes një postimi, ku ka theksuar rëndësinë e përkushtimit dhe të suksesit të bashkatdhetarëve shqiptarë në institucionet politike jashtë vendit, transmeton Klankosova.tv.
“Rrugëtimi i tij nga Vitia deri në Parlamentin e Hamburgut dëshmon se puna dhe përkushtimi nuk njohin kufij”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, gjatë takimit është diskutuar për çështje politike, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.
Krasniqi ka vlerësuar se për Kosovën përbën një vlerë të madhe fakti që bashkatdhetarët e saj janë pjesë e niveleve të larta të vendimmarrjes politike në vendet ku jetojnë dhe veprojnë.

