Gazetari dhe publicisti Enver Robelli ka shkruar për krizën e thellë demografike me të cilën po përballet Rusia, duke vënë në pah kontrastin mes thirrjeve të presidentit rus, Vlladimir Putin, që gratë të lindin më shumë fëmijë dhe kushteve ekonomike e shoqërore që po e vështirësojnë jetën e qytetarëve.
Në shkrimin e tij, Robelli trajton rënien e lindshmërisë, përhapjen e alkoolizmit dhe pasojat demografike të luftës, duke argumentuar se këta faktorë po ndikojnë drejtpërdrejt në zvogëlimin e popullsisë ruse.
Rusia po përballet me një nga nivelet më të ulëta të lindshmërisë në dekadat e fundit. Shkalla e lindshmërisë ka rënë në 1.352 fëmijë për grua, ndërsa gjatë vitit 2025 janë regjistruar vetëm rreth 1.19 milionë lindje, niveli më i ulët që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.
Pavarësisht kësaj situate, Kremlini po shton presionin ndaj grave që të lindin më shumë fëmijë. Madje, Putini ka rikthyer titullin e epokës sovjetike “Nëna Heroinë”, që u jepet grave që lindin të paktën dhjetë fëmijë.
Megjithatë, sipas përshkrimit të Robellit, problemet demografike të Rusisë nuk lidhen vetëm me rënien e lindshmërisë. Një rol të rëndësishëm luajnë edhe konsumi i lartë i alkoolit dhe pasojat e luftës.
Në këtë kontekst, gazetari sjell në vëmendje edhe rastin e rajonit rus të Vologdës, ku guvernatori Georgij Filimonov ka nisur një fushatë kundër konsumimit të tepërt të alkoolit.
Sipas deklarimeve të Filimonovit, 71 për qind e vdekjeve të burrave në moshë pune në rajonin e tij lidhen me sëmundje dhe pasoja të shkaktuara nga alkooli, përfshirë cirrozën e mëlçisë, sëmundjet e zemrës, aksidentet dhe dhunën.
Guvernatori ka deklaruar gjithashtu se numri i personave që vuajnë nga alkoolizmi është rritur për 30 për qind gjatë vitit 2024.
Një tjetër tregues shqetësues është jetëgjatësia e burrave rusë, e cila arrin vetëm rreth 68 vjet, dukshëm më pak se mesatarja prej 79 vjetësh për burrat në Evropë.
Sipas ekspertëve të cituar në reportazhin e transmetuesit publik gjerman ARD, konsumimi i pijeve të forta alkoolike mund të ulë jetëgjatësinë e burrave rusë deri në katër vjet.
Në anën tjetër, lufta dhe shpenzimet e mëdha ushtarake po rëndojnë edhe më shumë gjendjen ekonomike dhe sociale në vend. Në projektbuxhetin rus për vitin 2027 janë paraparë 17.15 trilionë rubla për mbrojtjen, ndërsa për shëndetësinë vetëm 1.82 trilionë rubla.
Kështu, ndërsa autoritetet ruse kërkojnë rritjen e lindshmërisë dhe vendosin kufizime të reja rreth abortit, qytetarët përballen me vështirësi ekonomike, shërbime shëndetësore të dobësuara dhe pasojat e një lufte që po vazhdon të marrë jetë njerëzish.

