Një Alfa Romeo 33 Stradale që nuk ngjan me asnjërën tjetër. Kjo është “Perla Nera”, një nga vetëm 33 ekzemplarët e supermakinës italiane, por e vetmja që është personalizuar tërësisht me një pamje të errët dhe dramatike.
Nuk bëhet fjalë për një version të ri me më shumë fuqi apo aerodinamikë të përmirësuar. “Perla Nera” është një nga makinat origjinale të serisë prej 33 ekzemplarësh, e porositur nga një koleksionist i apasionuar i Alfa Romeo-s.
Karakteristika më e veçantë është karroceria. Edhe pse në pamje duket e zezë, ajo në fakt është e përfunduar me fibër karboni të ekspozuar me sipërfaqe mat, duke e lënë materialin strukturor të supermakinës të duket në të gjithë trupin.
Karboni, i cili është një element thelbësor teknik i 33 Stradale, është vendosur me dorë dhe çdo fije është pozicionuar me kujdes për të ndjekur linjat dhe konturet e karrocerisë, transmeton Telegrafi.
Pamja është bërë edhe më minimaliste pasi makina është zhveshur nga shumica e emblemave, duke lënë vetëm logon e Alfa Romeo-s. Brenda kabinës vazhdon e njëjta filozofi, me elemente të shumta prej karboni dhe veshje Alcantara.
Edhe ulëset janë krijuar posaçërisht për pronarin, ndërsa makina shoqërohet me një set bagazhesh të personalizuar që përputhet me dizajnin e saj.
Megjithatë, nën këtë pamje unike nuk ka ndryshime mekanike. “Perla Nera” ruan motorin 3.0-litërsh V6 twin-turbo, i cili zhvillon 626 kuaj fuqi.
Fuqia transmetohet në rrotat e pasme përmes një kambioje automatike me tetë marshe, ndërsa supermakina mund të përshpejtojë nga 0 në 100 kmh, për më pak se 3 sekonda.
Në pistë, 33 Stradale mund të arrijë një shpejtësi maksimale prej rreth 333 km/h.
Alfa Romeo e përshkruan “Perla Nera” si një krijim të papërsëritshëm, që shkon përtej personalizimit tradicional dhe afrohet me konceptin e artit automobilistik.
Dhe pikërisht kjo e bën këtë ekzemplar kaq të veçantë: nga 33 Alfa Romeo 33 Stradale të prodhuara, vetëm njëra është realizuar me këtë kombinim ekstrem të karbonit të ekspozuar, Alcantara-s dhe pamjes së errët. /Telegrafi/