Alexander Isak ka zbuluar se nuk është penduar asnjëherë për transferimin te Liverpooli, pavarësisht vështirësive që përjetoi pas largimit nga Newcastle United.
Sulmuesi suedez iu bashkua “Reds” në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës në vitin 2025 për një shumë rekord prej 125 milionë funteve, por pati vështirësi nën drejtimin e Arne Slotit, para se një frakturë në këmbë në dhjetor ta linte jashtë fushave për katër muaj.
Isak shënoi vetëm katër gola në 22 paraqitje sezonin e kaluar, ndërsa këtë edicion ka nisur më mirë nën drejtimin e Andoni Iraolas, duke realizuar tri gola në gjashtë ndeshje.
Liverpooli është ende i pamposhtur në sezonin 2026/27, ndonëse ka fituar vetëm një nga katër ndeshjet e para në Ligën Premier, me tri barazime.
Megjithatë, Isak thotë se nuk ka pasur asnjëherë ndonjë ndjenjë pendese për vendimin për t’u larguar nga Newcastle.
“Jo, kurrë. Nuk do të mendoja kurrë në atë mënyrë”, ka thënë Isak për BBC Sport, kur u pyet nëse ishte penduar për transferimin.
“Fraktura në këmbë ishte e vështirë. Kushdo që ka pasur një lëndim të gjatë do ta dinte këtë. Por, nga ana tjetër, kur je në një vend të mirë dhe ndihesh mirë, nuk ke prirje të shikosh prapa, sepse kjo nuk të sjell ndonjë përfitim”.
“Prandaj, thjesht po shikoj përpara dhe ndihem vërtet optimist dhe i emocionuar për sezonin dhe për atë që mund të na sjellë”.
Liverpooli përndryshe do ta zhvillojë një përballje jo të lehtë në vikend ndaj Bournemouthit./Telegrafi/