Futbolli kosovar vazhdon të nxjerrë talente të rinj, ndërsa njëri prej emrave që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje është Aldion Aliu.
Sulmuesi vetëm 15-vjeçar, i cili aktivizohet te Ferizaj U17 dhe U19, po kalon një sezon shumë të mirë, duke impresionuar me paraqitjet e tij dhe duke treguar potencial të madh për të ardhmen.
Ajo që bie menjëherë në sy te Aldioni është ngjashmëria me sulmuesin norvegjez Erling Haaland. Nga pamja fizike, lëvizjet në fushë e deri te stili i lojës, krahasimet me yllin norvegjez janë bërë gjithnjë e më të shpeshta.
Ashtu si Haaland, edhe Aldioni është sulmues me këmbë të majtë, me shpejtësi të madhe, teknikë të mirë dhe instinkt të veçantë para portës. Inteligjenca në lojë, aftësia për të krijuar hapësira dhe cilësia për të shënuar gola e bëjnë atë një futbollist mjaft interesant.
Së fundmi, Aldioni i është bashkuar Spark Soccer Agency, agjenci që bashkëpunon me klubet më të mëdha në Evropë dhe synon zhvillimin e talenteve me potencial të lartë. Aldioni tashmë do të jetë pjesë e familjes Spark, në një fazë shumë të rëndësishme të zhvillimit të tij si futbollist.
Paraqitjet e tij këtë sezon nuk kanë kaluar pa u vënë re. Në moshën vetëm 15-vjeçare, Aliu po përballet me sukses edhe me kundërshtarë më të rritur, ndërsa, për shkak të formës dhe potencialit të treguar, pritet që së shpejti të marrë ftesë nga përfaqësueset e Kosovës U17 ose U19.
Krahasimet me Haalandin janë një motivim, por edhe një përgjegjësi e madhe. Aldioni ka ende shumë rrugë përpara, ndërsa puna dhe vazhdimësia do të jenë vendimtare në zhvillimin e tij. Aldion Aliu është një emër që ia vlen të përcillet nga afër. E ardhmja duket premtuese./Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com

